Petrit Hajdari, që kandidon për kryetar të Drenasit, ishte i pranishëm në protestën para Gjykatës Speciale të dielën. Ai gjatë ditës shpërndau fotografi nga protesta, e aktivitetet elektorale i pezulloi. E mbështetje nga Kosova protestës i dhanë edhe Uran Ismaili, Ferit Idrizi Arian Tahiri, Shaqir Totaj e të tjerë
Kandidatët e Partisë Demokratike për kryetarë komunash, në ditën e dytë të fushatës, vëmendjen e patën nga protesta në Hagë.
Petrit Hajdari, që kandidon për kryetar të Drenasit, ishte i pranishëm në protestën para Gjykatës Speciale të dielën.
Ai gjatë ditës shpërndau fotografi nga protesta e aktivitetet elektorale i pezulloi.
E, mbështetje nga Kosova protestës i dhanë edhe Uran Ismaili, Ferit Idrizi Arian Tahiri, Shaqir Totaj e të tjerë.
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, dha premtimin për fillimin e një pilotprojekti për mësim gjithëditor në shkollat e klasave të ciklit të ulët.
“Gjatë gjithë ditës ata jo vetëm që ndjekin mësimin sipas kurrikulës, por marrin edhe mbështetje shtesë, ndihmë për detyrat e shtëpisë dhe hapësirë për të zhvilluar kreativitetin. Programi fillon si pilot në tri shkolla, një në qendër dhe dy në zonat rurale, duke u bërë shembull për një arsim më të mirë në gjithë vendin me mundësi zgjerimi edhe në shkolla të tjera. Ky është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë, sepse çdo ditë shkollore është një mundësi e re për rritje dhe ëndrra të realizuara”, ka premtuar Buja.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka shpërndarë në Facebook një video nga tubimi hapës.
“Nuk kam ardhur nga larg, jam rritur me Mitrovicën në zemër. Jam ai që përshëndetet me të gjithë, që ndalet në kafene, që flet me njerëzit pa barriera, pa protokoll, pa maska. Mitrovica nuk ka nevojë për liderë që shohin nga larg”, ka thënë Tahiri në tubimin e së shtunës.
Ai u mbështet edhe nga kryetari aktual i Komunës, Bedri Hamza, që në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.
“Mitrovica nuk ndalet, puna dhe rrugëtimi vazhdojnë dhe e ardhmja është në duar të sigurta. Mitrovica ka energji. Mitrovica ka zemër. Mitrovica ka vizion dhe për të gjitha këto, Mitrovica ka një emër – Arian Tahiri”, ka thënë Hamza.
E Shaqir Totaj, kryetar aktual i Prizrenit që po kandidon për mandatin e dytë, ka thënë se përparësia e tij është puna e mirë që, sipas tij, ka bërë në mandatin e parë.
“Unë konsideroj që përparësitë e mia në krahasim me kundërkandidatët e tjerë janë më të mëdha. Përparësia kryesore është performanca e mirë gjatë këtyre katër viteve të fundit, por edhe një vizion i cili është i bazuar në profesionalizëm, në integritet dhe në planin për të ardhmen”, ka deklaruar ai.
E kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka kërkuar maturi nga qytetarët në këtë proces zgjedhor dhe të shikojnë programin dhe vizionin që ai ka për komunën.
“Në këtë garë politike ajo që na duhet më së shumti është maturia. Kjo është koha kur duhet të dëshmojmë kulturë demokratike, respekt ndaj njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha dashuri për qytetin tonë. Unë kërkoj prej secilit nga ju maturi, vëmendje dhe vlerësim të drejtë. Të shikoni programin tonë, idetë tona dhe njerëzit që na përfaqësojnë, sepse vetëm kështu mund të bëjmë zgjidhje për një Kaçanik më të mirë”, ka thënë Vishi.
Buja ka qenë kryetar i Lipjanit për dy mandate. Më 2013 ai humbi postin e tash po synon të rikthehet pas 12 vjetëve.
Tahiri ka shërbyer si nënkryetar i Bedri Hamzës në Komunën e Mitrovicës.
E në Kaçanik udhëheq Partia Demokratike, por kryetari i deritanishëm Besim Ilazi i prin listës së PDK-së për Asamble Komunale e Vishi synon ta marrë postin e kryetarit.