Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar votë për kandidatët e tij për kryetar në Klinë e në Kaçanik. Ai e quajti kandidatin që e synon rikthimin në krye të Klinës, Sokol Bashota, si kryetar që i di zgjidhjet për problemet e komunës. E për atë të Kaçanikut, Sabedin Vishi, tha se fitoren e ka të sigurt të dielën
Kandidat që i di zgjidhjet për problemet e Klinës e quajti kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pretendentin e partisë së tij, Sokol Bashota, që në balotazhin e 9 nëntorit e synon rikthimin në krye të komunës.
Ai tha se me Bashotën kryetar, qytetarët e Klinës do të kenë qeverisje në të cilën fjalët e dhëna edhe mbahen.
“Kola ka ecur gjithmonë përkrah jush, jo mbi ju. Kola i di problemet e Klinës, por mbi të gjitha i di edhe zgjidhjet. Unë ju siguroj se Kola nuk do të justifikohet, por do të marrë përgjegjësi për punë të tij, e punë ka bërë gjithmonë edhe në të kaluarën kur ju ka shërbyer juve”, ka thënë Krasniqi.
E Bashota u zotua që Klinës do t’ia rikthejë dinjitetin.
“Ne do të vazhdojmë me investime kapitale gjithandej Komunës së Klinës, si në qytet po ashtu edhe në fshatra për të rikthyer dinjitetin dhe besimin e qytetarëve në institucionin e komunës”, ka premtuar Bashota.
Në Kaçanik, kryetari i PDK-së e quajti të sigurt fitoren e kandidatit të tij, Sabedin Vishi. Aty, ai u bëri ftesë të gjithë atyre që janë dhe që kanë qenë me PDK-në, që mbështetjen për partinë ta dëshmojnë para kutive të votimit.
“Dua t’jua dërgoj një mesazh të gjithë atyre që dikur ecën bashkë me ne – dera e Partisë Demokratike të Kosovës është e hapur për ata që mund të kenë dyshuar, koha e dyshimeve ka mbaruar. Për të gjithë ata që dikur kanë thënë ne jemi PDK, presim që edhe sot ta thonë të njëjtën gjë”, ka thënë Krasniqi.
Votën e kaçanikasve, Vishi e kërkoi duke u zotuar se e ka ofertën më të mirë.
“Ta vulosim fitoren e Partisë Demokratike, sepse kemi ofertën më të mirë për qytetarët e Kaçanikut. E kjo ofertë është bërë në koordinim apo në përputhje me kërkesat e qytetarëve, në përputhje me kërkesat e mësimdhënësve, infermierëve, mjekëve, fermerëve, studentëve, sportistëve dhe të gjitha kategoritë të cilët japin kontribut në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë Sabedin Vishi.
Në Prizren, kandidati i PDK-së për edhe një mandat në krye të Komunës, Shaqir Totaj, ka marrë mbështetje nga Nisma Socialdemokrate. Njoftimin për koalicion e bëri kandidatja e Nismës për kryetare, Albulena Balaj-Halimaj.
“Sot bashkë me kryetarin Shaqir Totaj ramë dakord për një hap të rëndësishëm për qytetin tonë. Prizreni ka nevojë për bashkëpunim, për t’i çuar përpara projektet që presin njerëzit. Në këtë takim kemi vendosur që fjalët t’i kthejmë në punë dhe të garantojmë stabilitet institucional për mandatin e ardhshëm. Prandaj, të dielën ftoj qytetarët e Prizrenit ta votojnë Shaqir Totajn për kryetar të komunës, në mënyrë që bashkë ta çojmë përpara çdo projekt që e meriton qyteti ynë”, ka thënë Balaj-Halimaj.
Krahas në Klinë, Kaçanik e Prizren, kandidatë të PDK-së kanë shkuar në garën e balotazhit edhe në komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë e Dragashit.