Në Graçanicë, kandidati i Aleancës Shqiptare, Leutrim Ajeti, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për atë që e ka quajtur “ndryshim historik”. Ajeti ka premtuar investime në shëndetësi, kopshte publike dhe hapësira sportive për të gjitha komunitetet.
Kandidati i vetëm shqiptar për kryetar të Graçanicës, Leutrim Ajeti, u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të komunës, që të dielën të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Ajeti është kandidati i subjektit Aleanca Shqiptare, që ka mbledhur të gjitha partitë shqiptare në Graçanicë. Ai tha se të dielën do të bëhet historia.
“Unë Leutrim Ajeti do të jem kandidat për kryetar të komunës në Graçanicë. Ju ftoj të gjithëve pa dallim të votoni Leutrim Ajetin, të votoni listën tonë, të votoni Aleancën Shqiptare, të votoni për historinë, të votoni për ndryshimin dhe të votoni për transformimin e komunës së Graçanicës. Kjo do të jetë datë historike, do të jetë datë e shenjt sepse ne bashkë do ta bëjmë ndryshimin e Komunës së Graçanicës, do ta bëjmë transformimin e Komunës së Graçanicës”, ka thënë Ajeti.
E në një video tjetër që Ajeti ka shpërndarë në Facebook, premton investime të shëndetësi.
“Gjatë katër viteve tona qeverisje do të ndërtojmë katër shtëpi të shëndetit në lagjet; Marigona, Uglarë, Çagllavicë dhe Kishnicë. Po ashtu do ta ndërtojmë edhe spitalin e qytetit, njëra prej nevojave më të mëdha të komunës së Graçanicës. Njëra ndër kërkesat e qytetarëve të Graçanicës është edhe ndërtimi i kopshteve publike. Në mandatin tonë do të investojmë në kopshte për fëmijë në lagjet; Marigona, Uglarë, Kishnicë dhe Çagllavicë”, vijoi ai.
Ajeti gjatë këtij mandati ka shërbyer si nënkryetar i komunës për komunitete.
Graçanica prej kur është themeluar si komunë, në 2009-ën, është udhëhequr nga partitë serbe.
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, komuna përbëhej nga 67% serbë, 23% shqiptarë e 8% romë e ashkali. Por në regjistrimin e vitit 2024, shqiptarët dolën të jenë shumicë në komunë, për 63 banorë më shumë.
