Kandidati për kryetar të Komunë së Graçanicës nga Aleanca Shqiptare, Leutrim Ajeti, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” ka treguar për bashkëpunimin siç tha – të mirë, që e ka me kryetaren nga Lista Serbe në këtë komunë, Ljiljana Shubariq
.
“Ne jemi për të bashkëpunuar në të mirë të qytetarëve. Në fund të ditës, qytetarëve nuk iu intereson se si kalojmë aty mes vete. Unë kam bashkëpunuar me kryetaren, asnjëherë nuk kemi përmendur partitë sa herë që kemi folur për kërkesat e qytetarëve. Që nga dita e parë kam biseduar dhe jemi dakorduar me të që të punojmë në atë drejtim që qytetarët të jenë të kënaqur. Sepse në fund të ditës asnjë qytetari në komuna nuk i intereson se çka bëhet në nivelin nacional, por iu intereson si po punohet në nivelin komunal”, ka deklaruar kandidati shqiptar për kryetar të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti.
I pyetur se a do të bashkëpunojë me këtë parti sërish pas zgjedhjeve, Ajeti tha se do të bashkëpunojë me secilën nëse është në të mirë të qytetarëve.
“Duhet të bashkëpunojmë me secilin subjekt politik aty në të mirë të qytetarit. Pa prekur çështjet e nacionalizmit, thjesht ne jemi për të bashkëpunuar në të mirë të qytetarit. E thashë, në fund të ditës nuk i intereson se si kalojmë mes vete, i intereson se a po ua rregullojmë atyre jetën, a po ua lehtësojmë jetën atyre, kjo iu intereson”, është shprehur Ajeti.
Ai poashtu pohoi se as në fushatë, deri më tani, nuk ka pasur ngjyrime politike nga Lista Serbe në këtë komunë, ndonëse është një tjetër kandidat për kryetar në këto zgjedhje lokale.