Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka kërkuar votë për kandidatin për kryetar të Pejës në zgjedhjet e 12 tetorit, Taulant Kelmendi, ka thënë se këtij qyteti i nevojitet dikush që i trajton dhe gjen zgjidhje për problematikat e qytetarëve.
Ai ka vlerësuar se qytetarët e Pejës e kanë shumë të lehtë zgjedhjen për qeverisje.
“Peja ka potencial të madh zhvillimor. Qyteti dhe qytetarët të cilëve duhet t'iu kushtohen vëmendje e politika që nxisin zhvillimin, nuk kanë qenë në mendjen e kryetarit aktual. Prandaj kur nuk i ndryshohet mendja kryetarit, duhet ta ndryshojmë kryetarin e ta sjellim një të ri që me përkushtim e dije mendon dhe vepron për Pejën, sikurse zëvendësministri i Arsimit e kandidati ynë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Taulant Kelmendi. Pejës i duhet Taulanti, si kryetar i cili qeveris me qytetarët e për qytetarët dhe trajton e gjen zgjidhje për problematikat e tyre. Andaj në këto gjashtë ditë të mbetura të fushatës, duhet të trokasim në çdo derë, të çdo shtëpie, rruge e lagjeje, të fshatrave e qytetit, që t’i bashkojmë të gjithë për ndryshimin që kaq shumë i duhet Pejës”, ka thënë ai.
Kurti në Facebook ka shtuar se Peja do të bëhet qytet i zhvillimit ekonomik dhe dinjitetit qytetar.
