Zgjedhjet lokale

LVV-ja fton AAK-në për koalicion në Pejë

Kurti kërkon mbështetje për Taulant Kelmendin

Kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, njofton se i ka dërguar ofertë për bashkëpunim atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha.

Në publikimin e ftesës, Kelmendi thotë se “koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”. 

Gjithashtu ka treguar edhe se çfarë i ka ofruar për të qeverisur bashkë.

“Sot, si kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës, i kam dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kryetarit të AAK në Pejë, Dr. Ali Berisha. Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim. Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të marrë përgjegjësi për Pejën dhe të vendosë në qendër punën, drejtësinë dhe qytetarin. Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”, thuhet në shkrimin në Facebook të kandidatit Kelmendi.

Më 9 nëntor, Kelmendi do të garojë me Gazmend Muhaxherin e LDK-së, që doli i pari me 46.25 për qind të votave. Kelmendi si i dyti mori 27.78, ndërsa Berisha ishte i treti 18.21 për qind.