Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar fushatën zgjedhore me premtime për zhvillim ekonomik, infrastrukturë moderne dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Në Prishtinë, kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Bekë Berisha, ka premtuar mbështetje të veçantë për bizneset që, siç tha ai, mbajnë gjallë ekonominë e kryeqytetit.
“Për bizneset që mbajnë ekonominë dhe hapin vende pune, sidomos ato të lëna pas dore, komuna do të subvencionojë diferencën në koston e furnizimit me energji. Skema do të bazohet në kritere të qarta dhe të matshme, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së kryeqytetit”, ka thënë Berisha. “Shumë biznese po mbyllen, por ne do t’i mbështesim fuqishëm. Plani ynë sjell mundësi të reja punësimi, ndërtim fabrikash, mbështetje për bujqësinë dhe zhvillim të bizneseve të vogla e të mesme”.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi në Pejë në përkrahje të kandidatit për kryetar, Ali Berisha, ka thënë se edhe kjo komunë duhet ta marrë epitetin e kryeqytetit për një fushë.
“Peja kur nuk ishte mirë, nuk mund ta merrte hapin e zhvillimit, por erdhi Ali Berisha. Ende sot mbahen mend punët e mira të asaj qeverisjeje. Peja atëherë u bë lidere në të gjithë vendin. Nëse Prishtina është kryeqytet administrativ e politik, Prizreni kryeqytet i kulturës, Peja duhet të jetë kryeqyteti ekonomik i Kosovës. Prej këtu duhet të burojë zhvillimi për të gjithë vendin”, ka thënë Haradinaj.
E, në komunën fqinje, Deçan, kryetari që synon edhe një mandat, Bashkim Ramosaj, është zotuar se nëse e fiton edhe garën e radhës, do ta bëjë ndërtimin e një sheshi modern me pamje evropiane.
“Tani është koha për një projekt të ri që do ta transformojë krejt qytetin – sheshin e ri të Deçanit. Ndërtesat e vjetra do të zëvendësohen me një hapësirë moderne, një projekt i madh që do t’i japë qytetit tonë pamje evropiane”, ka thënë Ramosaj.
E në Viti, kandidati Labinot Bislimi ka premtuar urbanizim të një numri fshatrash.
“Për Ramnishten planifikojmë t’i japim statusin e zonës urbane, sikurse Beguncës, Kabashit dhe Drobeshit, duke rritur kështu vlerën e tokës dhe të gjithë zonës. Po ashtu, do të ndërtojmë një pistë çiklistësh në dy kahe, të ndarë me gardh të gjelbër dhe drunj dekorativë”, ka thënë ai.
Ndërkaq Smajl Latifi, i cili është kryetari aktual i Komunës së Rahovecit dhe synon edhe një mandat tjetër, gjatë një tubimi me qytetarët ka kërkuar që zgjedhjet në këtë komunë të përfundojnë që në raundin e parë, pa pasur nevojë për balotazh.
“Ne jemi të parët për transparencë buxhetore, nga 100 pikë komuna jonë ka marrë 100 pikë. Atëherë, cila është arsyeja që ne duhet t’i besojmë dikujt tjetër që nuk ka idenë se ku të nisë apo ku duhet të shkojë? Ju ftoj që më 12 tetor të jemi bashkë dhe në kutitë e votimit ta shprehni vullnetin tuaj. Rezultatet do t’i vendosim vetë, dhe unë jam i bindur se qytetarët do të zgjedhin që komuna të mos hyjë në balotazh”, ka thënë Latifi.
Në Gjilan, kandidati Nazim Gagica ka premtuar mbështetje për bizneset prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Fokusi ynë është te punësimi, prodhimi dhe eksporti... Do të angazhohemi për të mbështetur bizneset prodhuese, për të hapur vende të reja pune dhe për ta kthyer Gjilanin në qendër të prodhimit dhe eksportit në Lindje të Kosovës”, ka thënë ai.
E Ukë Blakaj, kandidat i AAK-së për Komunën e Istogut, ka premtuar se pastrimi i deponive ilegale dhe trajtimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza do të jenë prioritet gjatë mandatit të tij.
“Istogu është i zhytur në mbeturina, pasi mbi 15 deponi ilegale gjenden nëpër fshatra e në qytet. Trajtimi i mbeturinave dhe i ujërave të zeza është me prioritet për mua si kryetar i Komunës së Istogut”, ka thënë ai.
Edhe kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetarë komunash vazhduan prezantimin e projekteve dhe kërkuan votën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
