Zgjedhjet lokale

Latifi premton dronë për spërkatje, Berisha program që ua bën me të lehtë jetën qytetarëve

latifi

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka paraqitur shtatë prioritete që përfshijnë arsimin, shëndetësinë, transportin, administratën, ekonominë, sportin e kulturën. Në Rahovec, Smajl Latifi ka premtuar 150 km rrugë të reja dhe përdorimin e dronëve në bujqësi. Në Pejë, Ali Berisha është zotuar për rregullimin e rrugës Gorazhde - Stacioni i trenit dhe menaxhim të mirë të buxhetit. Premtime për infrastrukturë, arsim e zona industriale kanë dhënë edhe kandidatët e Kaçanikut, Kamenicës e Suharekës

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka prezantuar të premten programin me shtatë prioritete, që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e çdo qytetari. Berisha ka thënë se programi i tij është realizuar në bashkëpunimin me ekspertë të fushave të caktuara. 

“Kam qenë në çdo lagje të Prishtinës, problemet e tyre dhe kërkesat… Shtatë prioritete të qarta, me zgjedhje konkrete, arsim modern me fëmijë të lirë, por të sigurt, shëndetësi që respekton dinjitetin, rrugë dhe transport që funksionojnë me infrastrukturë moderne dhe autobusë të rinj për nxënësit, ekonomi që hap vende pune, siguri dhe administratë efikase, kulturë dhe sport për rininë me hapësira të reja dhe mbështetje për talentet tona”, tha Berisha.

Në Rahovec, kandidati që synon edhe një mandat tjetër, Smajl Latifi, ka premtuar ndërtimin e rrugëve të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese. Ai ka theksuar zgjerimin e partneritetit të komunës me Qendrën grumbulluese të fruta-perimeve "Agrocelina" dhe fermerët lokalë, ndërsa ka paralajmëruar një projekt inovativ që përfshin përdorimin e dronëve për spërkatjen e kulturave bujqësore.

 “Në komunën e Rahovecit do të ketë 150 km rrugë fushore të reja dhe mirëmbajtje të rrugëve ekzistuese. Ju kam premtuar një projekt që mund të ndodhë e do të ndodhë në komunën tonë, do ta blejmë një shërbim të specializuar të spërkatjes të kulturave bujqësore, vreshtare dhe perimtare përmes dronëve”.

Në Pejë, kandidati Ali Berisha ka thënë se qyteti ka mbetur prapa në shumë fusha dhe se duhet të kthehet në funksion të qytetarëve. Ai është zotuar se nëse rikthehet në krye të komunës do ta bëjë rregullimin e projektit rrugor në drejtim të Stacionit të trenit. 

“Një herë e përgjithmonë do të rregullohet një projekt që është deformuar: projekti që fillon nga ‘Gorenje’ dhe shkon deri te stacioni i trenit e më tutje, do të bëhet me katër korsi. Ashtu ka qenë i planifikuar, ashtu ka qenë i tenderuar - por është ndryshuar, është deformuar, për shkak të ndërrimeve që janë bërë me projektin 'Kristal'. Në atë kohë, me projektin 'Kristal', është bërë zgjerimi i ujësjellësit, është bërë shtrirja e kanalizimeve, dhe është ndërtuar ambulanca (në vitin 2007). Në vitin 2007, buxheti për investime kapitale ka qenë 900 mijë euro. Në vitin 2013 ka qenë afër 4 milionë euro. Ndërsa sot flasim për rreth 50 milionë euro investime kapitale për një periudhë katërvjeçare – dhe me ato para mund të bëhen shumë punë, nëse menaxhohen ashtu siç duhet. Por, nëse vazhdohet kështu si po shkohet sot – ku më shumë para shkojnë te përmbaruesit sesa në investime – atëherë buxheti nuk u shërben qytetarëve, por mbulon shkeljet ligjore që po i bën komuna” , tha Berisha.

E në tubimin e mbajtur në Kaçanik, të premten kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se qyteti që ka shkruar histori po u jep forcë për hapat e mëdhenj që e presin këtë subjekt politik. Ai prezantoi kandidaten për kryetare të komunës, Hafize Sallahu, duke theksuar se programi i saj sjell një vizion të qartë për transformimin që Kaçaniku ka nevojë.

“Ne kemi dëshmuar se projektet madhore realizohen - autostrada “Arben Xhaferi” është shembulli më i qartë i vizionit tonë qeverisës. Mungesa e ujit të pijshëm, menaxhimi i ujërave të zeza, mungesa e çerdheve, hapja e rrugëve alternative dhe digjitalizimi i shkollave janë prioritetet e menjëhershme që do të marrin zgjidhje”, tha Haradinaj.

Në Kamenicë, kandidati i AAK-së, Faton Jakupi, ka kundërshtuar pretendimet e kryetarit aktual për investime të realizuara. Ai ka thënë se shuma prej 40 milionë eurove është vetëm e planifikuar dhe jo e zbatuar, duke theksuar se shumë projekte që përmenden janë futur në buxhet vite më parë.

“Është e planifikuar 40 milionë euro o Kadri, jo e realizuar. Mos fol për rrugë, mos fol për rrugët e Malësisë. Kjo është kur ka hyrë në buxhet, 24 dhjetor 2018. Projektet dhe kopjet fizike i keni marrë nga zyra ime. Është projekt i vitit 2018”, ka deklaruar Jakupi.

Në Suharekë, kryetari aktual i komunës, Bali Muharremaj, ka thënë se komuna po zgjerohet çdo ditë dhe se ka nevojë për lagje të reja, shkolla, çerdhe dhe një zonë industriale. Në synimin për të fituar edhe një mandat, ai ka premtuar dhjetë projekte të reja në vlerë rreth 28 milionë euro. Muharremaj ka përmendur edhe disa nga projektet e nisura, por të papërfunduara, përfshirë stadiumin, objektin e “EkoTherandës” dhe shkollën “7 Marsi”.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 14-të e fushatës

Agjenda e aktiviteteve të Partisë Demokratike të Kosovës:10:40 – Në Prizren përurohen projekte infrastrukturore, bëhet zhvendosja...