Zgjedhjet lokale

Latifi premton spërkatjen e vreshtave me dronë

Smajl Latifi

Fushata e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të premten

Kryetari dhe kandidati që synon edhe një mandat për Komunën e Suharekës, Bali Muharremaj fushatën e ka vazhduar me një takim me rininë e kësaj komune.  Ka premtuar projekte në vlerë prej 28 milionë eurosh, të cilat tha se do të përmbushin  nevojat e qytetit për shkolla, çerdhe, infrastrukturë dhe një zonë industriale.

Në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ali Berisha, është zotuar se nëse rikthehet në krye të komunës do ta bëjë rregullimin e projektit infrastrukturor nga Gorazhdeja deri te stacioni i trenit me katër korsi, e menaxhim më efikas të buxhetit komunal.

Smajl Latifi në Rahovec, i cili synon edhe një mandat ka premtuar ndërtimin e 150 kilometrave rrugë të reja dhe futjen e dronëve për spërkatjen e vreshtave dhe kulturave bujqësore. Sipas Latifit  ky do të jetë projekti i pari i këtij lloji në Kosovë.

“Unë ju zotohem këtu se në Komunën e Rahovecit do të ndërtohen 150 km rrugë të reja fushore dhe do të ketë mirëmbajtje të rrugëve ekzistuese. Partneriteti mes Agrocelinës, Komunës së Rahovecit dhe fermerëve do të zgjerohet, do të thellohet dhe do të mbështetet edhe më shumë financiarisht. Ju kam premtuar një projekt që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës pas luftës, por që mund të ndodhë dhe do të ndodhë në komunën tonë: do të blejmë një shërbim të specializuar për spërkatjen e kulturave bujqësore, vreshtave dhe perimeve përmes dronëve”, ka thënë Latifi.

Ndërsa kandidati për Prishtinë, Bekë Berisha, ka paraqitur shtatë prioritete, që përfshijnë arsim modern, shëndetësi funksionale, transport publik me autobusë të rinj, siguri në lagje, mbështetje për bizneset e reja dhe hapësira për kulturë e sport për të rinjtë.

“Kam qenë në çdo lagje të Prishtinës, i kam dëgjuar problemet dhe kërkesat e qytetarëve, dhe jam ulur e jam konsultuar me ekspertë për secilën fushë. Shtatë prioritete të qarta, me zgjidhje konkrete që prekin jetën e çdo qytetari: Arsim modern, me fëmijë të lirë, por të sigurt, me siguri inteligjente. Higjienë dhe kushte të dinjitetshme. Shëndetësi që respekton dinjitetin, me ambulanca funksionale dhe kujdes të afërt për secilin pacient. Rrugë dhe transport që funksionojnë, me infrastrukturë moderne dhe autobusë të rinj për nxënësit. Ekonomi që hap vende pune, duke mbështetur bizneset e reja që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu. Siguri dhe administratë efikase, me shkolla të sigurta dhe lagje të ndriçuara. Kulturë dhe sport për rininë, me hapësira të reja dhe mbështetje për talentet tona. Një Prishtinë e pastër dhe me menaxhim të duhur të mbeturinave”, u shpreh Berisha.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 14-të e fushatës

Agjenda e aktiviteteve të Partisë Demokratike të Kosovës:10:40 – Në Prizren përurohen projekte infrastrukturore, bëhet zhvendosja...