Zgjedhjet lokale

Berisha: Prishtina do të ketë kampus me pesë shkolla dhe kushte moderne për nxënësit

beka

Kandidatët e AAK-së kanë prezantuar prioritetet kryesore për komunat që synojnë t’i udhëheqin. Në Prishtinë, Bekë Berisha ka premtuar shkolla moderne, çerdhe të reja dhe transport për nxënësit. Në Viti, Labinot Bislimi ka premtuar zhvillimin urban të Beguncës. Në Rahovec, Smajl Latifi është zotuar për investime në shëndetësi e infrastrukturë. Ndërsa në Gjakovë, Ardian Gjini të hënën ka bërë thirrje për një fushatë të qetë dhe të respektueshme.

Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të hënën kanë prezantuar prioritetet e tyre për komunat që synojnë t’i udhëheqin, duke u fokusuar në arsim, infrastrukturë dhe zhvillim lokal.

Në Prishtinë, Bekë Berisha, që synon ta udhëheqë kryeqytetin ka premtuar reforma  në arsim dhe mirëqenie për nxënësit, duke premtuar ndërtim të kampuseve të reja, rinovim të shkollave dhe përmirësim të kushteve në çerdhe.

“Do të bëjmë shkolla moderne, një kampus të ri me 5 shkolla të mesme. Gjithashtu do të rinovojmë 15 shkolla ekzistuese me klasa digjitale. Do të sigurojmë transport për nxënësit me 20 autobusë, siguri dhe mirëqenie me policë nëpër shkolla, tualete funksionale, alarme zjarri, kamera dhe ndriçim. Do të ndërtojmë 15 çerdhe të reja me kujdes gjatë muajve korrik dhe gusht, si dhe çanta më të lehta me vetëm një orë detyrë në shkolla”, ka thënë Berisha.

Në Viti, Labinot Bislimi ka premtuar zhvillim urban në zonat rurale, përfshirë ndërtimin e një sheshi dhe infrastrukturë moderne për fshatin Beguncë.

“Sot në Beguncë kemi projektuar që në këtë pjesë, ku fillon shkolla më poshtë dhe më lart, do ta bëjmë një shesh shumë të bukur për Beguncën. Por mbi të gjitha, duhet ta kuptoni se Begunca do të përfitojë ashtu si Kabashi e Drobështi. Për herë të parë Begunca do të jetë pjesë e Vitisë — pra lagje ose paralagje e qytetit  sepse duam ta zhvillojmë si qendër urbane. Për këtë kemi paraparë edhe një qendër sociale. Dua të shtoj edhe diçka: Beguncës do t’ia shtojmë edhe një pistë çiklistike, e cila do të jetë në të dy anët e rrugës, e ndarë nga asfalti me barriera”, ka thënë Bislimi.

Në Rahovec, Smajl Latifi, që kërkon një mandat të ri, e ka cilësuar komunën si “kampione” në transparencë dhe performancë, duke paralajmëruar investime të reja në infrastrukturë, qendra shëndetësore dhe hapësira publike për fëmijë.

“Kemi investuar shumë në minimizimin e vërshimeve dhe do të kemi edhe investime shtesë për ta ulur rrezikun e tyre. Nga viti i ardhshëm fillon ndërtimi i qendrës së re familjare në Fortesë, e cila do të ketë standarde të reja në ofrimin e shërbimeve. Këndet e lojërave për fëmijë janë vepra jo të kushtueshme, por shumë të rëndësishme, dhe do t’i realizojmë sepse janë në listën e prioriteteve. Po ashtu, do të ketë përmirësime të dukshme në rrugët që lidhen me varrezat e dëshmorëve”, ka deklaruar Latifi.

Ndërsa në Pejë, Ali Berisha ka kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë të projekteve infrastrukturore dhe ka premtuar një qasje më efektive për zhvillim urban dhe cilësi më të mirë të punimeve.

E kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili kërkon një mandat të tretë, ka bërë thirrje për një fushatë të qetë dhe pa fyerje.