Zgjedhjet lokale

Bekë Berisha: Me 12 tetor keni vetëm dy zgjedhje reale: ose unë, ose Besa Shahini

Bekë Berisha

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që synon ta marrë pushtetin në Prishtinë, të enjten nuk ka bërë fushatë veç për vete. Bekë Berisha tha se alternativë është edhe kundërkandidatja e tij nga Partia Socialdemokrate, ndërsa për të tjerët në garë theksoi se nuk e meritojnë fitoren.

“Shikoni Prishtinën sot: shëndetësia, kultura, jeta e qytetit asgjë nuk funksion – zero. Zgjedhjet dhe fituesit nuk i vendosin studiot televizive, vendosen prej neve, e vetëm bashkë mund t’i prishni matematikat e tyre. Më 12 tetor keni vetëm dy zgjedhje reale: ose unë, ose Besa Shahini”, ka thënë ai në një video të publikuar në rrjete sociale.

Fushatën më intensive AAK-ja e ka fokusuar në Dukagjin.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Ali Berisha, ka thënë se objektiv kryesor ka kthimin e qytetit në nivelin ku, sipas tij, ka qenë në kohën kur ka qeverisur këtë komunë.

Gjatë një tubimi elektoral ai theksoi se mungesa e planeve zhvillimore dhe lënia pas dore e sportit dhe rinisë ka bërë që qyteti ta humbasë krenarinë e dikurshme.

E, në Gjakovë kryetari aktual Ardian Gjini, i cili synon edhe një mandat, ka promovuar punët e kryera gjatë tetë vjetëve të fundit. Ai ka theksuar se prioritet ka pasur infrastruktura rurale dhe se ka shtruar qindra kilometra rrugë nëpër fshatra.

Edhe në Rahovec kryetari Smajl Latifi, që po kështu garon për mandatin tjetër, premtoi investime në infrastrukturë.

“Unë jam këtu për t’ ju premtuar se edhe projekti i ndërtimit të parkut në viset e jashtme të shkollës ‘Skënder Kastrati’ në Malësi të Vogël do të ndodhë. Ky mjedis meriton hapësira të reja, pajisje moderne, tabela digjitale, teknologji bashkëkohore”, ka thënë Latifi.

Edhe kandidatë të AAK-së për kryetar të Vitisë e Istogut vazhduan kampanjën paraelektorale duke dhënë zotime për investime në shumë sektorë.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 20-të e fushatës