Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 20-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Abdixhiku parashikon që Sokol Haliti ta fitojë Vitinë pa balotazh
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka parashikuar se Sokol Haliti do ta fitojë Vitinë pa balotazh në zgjedhjet e 12 tetorit.
Haliti është kryetar aktual i Vitisë dhe kandidatët i LDK-së për kryetar të kësaj komune për zgjedhjet e 12 tetorit.
Abdixhiku ishte në Viti të enjten mbrëma për t’i dhënë prëkrahje Halitit.
“Sokol Haliti edhe 4, për të 4-tën! Kampioni i pathyeshëm i Vitisë, 4x4, këtë herë edhe më fuqishëm, që në raundin e parë. Sonte, në Viti, në mesin e entuziazmit të zjarrtë dhe mbështetjes së flaktë të qytetarëve, prezantuam Sokolin tonë si kandidat dhe listën prej 30 kandidatëve për Asamblenë Komunale. Ky ishte manifestim i qartë i besimit që Vitia ka për LDK-në, për vizionin tonë, për zhvillimin dhe për të ardhmen. Sokoli dhe ekipi i tij janë garancia e vazhdimësisë, e punëve të mira të bëra deri më tani dhe e projekteve të mëdha që e presin Vitinë nesër. Me këtë frymë të madhe uniteti e energjie, fitorja është e pashmangshme. Vitia po flet qartë: për Sokolin, për LDK-në, për të ardhmen!” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
LDK-ja premton fshat olimpik në Prishtinë e transformim të lagjeve në Prizren
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për një tjetër mandat, Përparim Rama, ka prezantuar projektin për ndërtimin e fshatit olimpik, që do të shërbejë për Lojërat Mesdhetare më 2030.
Projekti do të shtrihet në 60 hektarë dhe do të përfshijë stadiumin kryesor, si dhe hapësira për disiplina të tjera sportive.
“Një projekt 60 hektarësh që synon të bëhet zemra e sportit në Kosovë dhe Ballkan. Nga stadiumi kryesor, deri te hapësirat për basketboll, tenis, not, arte marciale e sporte luftarake çdo disiplinë gjen vendin e saj. Një lagje e qëndrueshme dhe e aksesueshme, me lëvizje të lehtësuara për këmbësorë e biçikleta. Jo vetëm qendër sportive, por edhe një qendër të përditshme komunitare, për aktivitete, rekreacion dhe bashkëjetesë sociale”, ka thënë Rama.
E kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, në tubimin e mbajtur në fshatin Bajçinë, ka thënë se Podujeva fillimisht ka nevojë për kthim në normalitet e më pas për zhvillim.
“Flakë atmosfera që e përçon mesazhin e fitores. Do të fillojmë me kthim në normalitet dhe pas kthimit në normalitet vazhdojmë me zhvillim”, ka deklaruar Hyseni.
Gëzim Plakolli ka vizituar klubin e xhudos dhe të karatesë në Mitrovicë, duke premtuar mbështetje për sportistët.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se Mitrovica ka talent, disiplinë dhe vullnet për fitore, duke na bërë krenarë në çdo garë ku përfaqësojnë qytetin dhe shtetin tonë. Me LDK-në sporti do të ketë mbështetjen që meriton, sepse fuqia dhe frymëzimi i rinisë janë garanci për një Mitrovicë më të shëndetshme e më të suksesshme”, ka thënë ai.
Në Vushtrri, Xhafer Tahiri, që synon kthimin në qeverisje, ka prezantuar planin për transformimin e hapësirave publike. Ai ka thënë se zona tek ambulanca e vjetër, përballë muzeut, do të bëhet park për fëmijët.
“Kemi me ndërtu një rreth, kemi me trajtu lumin Tërstena, kemi me përfundu projektin e lumit Tërstena deri në fund dhe me largu kundërmimin e kanalizimit. Kjo hapësirë do të shndërrohet në një park ku fëmijët e Vushtrrisë dhe të kësaj zone do të kenë hapësirë për të kaluar kohën e tyre të lirë. Për 9 muaj do të hartojmë projektin, do të lidhim kontratën e krejt projektin kemi me përfundu brenda 3 viteve të mandatit tonë”, ka thënë Tahiri.
Ruzhdi Shehu, i cili synon edhe një mandat në krye të Junikut, ka premtuar se për pak ditë do të përfundojë asfaltimi i të gjitha rrugëve në komunë.
“Projekti i filluar për asfaltimin e pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave, tanimë ka arritur në fazën përfundimtare. Gjatë ditëve në vijim do të përfundohen edhe rrugët e mbetura dhe përfundimisht në Junik të gjitha rrugët lokale dhe rrugicat do të jenë të asfaltuara. Këto punë ka qenë dashur të realizoheshin para më shumë se 12 vjetëve kur dikush tjetër ka qenë në pushtet. Megjithatë gjatë mandatit tonë të parë e realizuam edhe këtë projekt mjaft të rëndësishëm për junikasit”, ka thënë Shehu.
Në Prizren, Driton Selmanaj ka prezantuar projektin për transformimin e lagjeve "Nënkalaja" dhe "Kurilla". Sipas tij, projekti i quajtur “Lagjet model” synon që këto dy zona të kthehen në pika turistike dhe funksionale për qytetarët.
“Do të kemi ndriçim në publik të njëjtë, ulëset e njëjta, fasadat e njëjta, dyer dhe dritare të njëjta, pullaze të njëjta, për këtë do të subvencionojmë ne si komunë, në mënyrë që kësaj pjese të qytetit t’i rikthehen vlera dhe identiteti arkitektonik i Prizrenit tradicional. Prizreni është përtej shatërvanit, Prizreni është përtej kalasë dhe prandaj edhe “Kurrilla”, si një lagje me histori të veçantë, do të kthehen në një atraksion, i cili mund të absorbojë turistë të huaj dhe normalisht që do të bëhet edhe me infrastrukturën e saj edhe shumë funksionale dhe shumë praktike për njerëz që jetojnë në këtë lagje” ka deklaruar Selmanaj.
Nëse merr besimin e qytetarëve në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli ka premtuar se ekonomia do të jetë në qendër të qeverisjes komunale.
Krasniqi: Te Ballazhi qytetarët kanë gjetur besim, mbështetje dhe shpresë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Han të Elezit të enjten pasdite, për t’i dhënë mbështetje kryetarit të kësaj komune Mehmet Ballazhi. Ballazhi është kandidat i PDK-së për edhe një mandat si kryetar i Hanit të Elezit.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
“Sonte, Hani i Elezit dëshmoi sërish se është me PDK-në, sepse tek Mehmet Ballazhi kanë gjetur njeriun e mirë dhe kryetarin e duhur. Tek ai, qytetarët kanë gjetur besim, mbështetje dhe shpresë. Ky model i suksesshëm do të rikonfirmohet më 12 tetor, sepse puna për ta bërë Hanin e Elezit ma të mirë vazhdon. Faleminderit nga zemra për pritjen dhe mbështetjen madhështore!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ismaili premton kthimin e shkallëve të lagjes “Arbëria” në pikë turistike
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka shpalosur të enjten planin e tij për lagjen “Arbëria”.
Ai ka dhënë gjashtë premtime për banorët e kësaj lagjeje, të fokusuara në arsim, hapësira publike e lidhje të lagjes me qendrën e qytetit.
“Këto janë zotimet e mia për ‘Arbërinë’: Ndërtimi i çerdhes dhe shkollës së re; Lidhja e shkallëve emblematike të ‘Arbërisë’ deri te parku dhe kthimi i tyre në pikë turistike; Integrimi i stacionit të trenit dhe vijës hekurudhore me korridore të sigurta për këmbësorët; Linja të reja të trafikut urban që mbulojnë tërë lagjen; Dy terrene sportive për lagjen me fusha futbolli dhe basketi; Park i ri për lagjen me kënde të lojërave për fëmijë. Arbëria është lagje me karakter dhe identitet, jo lagje për premtime të mëdha që s’realizohen kurrë”, ka thënë Ismaili.
Në Malishevë, gjatë një tubimi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët i besojnë kandidatit të kësaj partie, Gëzim Krasniqit.
“Kujt mundet t’i besoj më shumë Malisheva e qytetari i saj sesa mjekut të dëshmuar për ta trajtuar Malishevën që po lëngon, një mjeku të vërtetë, një njeriu që ka shëruar me duar, me dije dhe me shpirt, doktor Gëzim Krasniqi”, ka thënë ai.
Në Prizren, Shaqir Totaj ka përuruar renovimin e Ambulancës për Mjekësi Familjare në fshatin Skorobisht.
“Përuruam sot transformimin e plotë të AMF-së në fshatin Skorobisht, pas renovimit të tërësishëm dhe modernizimit të objektit. Përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore e ngrit cilësinë e jetës në komunitet, derisa investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim avancimin e shërbimeve mjekësore dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka deklaruar Totaj.
E kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka premtuar shumëfishim të buxhetit për bujqësinë.
“Trefishimi i buxhetit komunal për bujqësinë gjatë mandatit, rregullimi i të gjitha rrugëve fushore për qasje të lehtë në parcela, mbështetja për mekanizmin bujqësor dhe pajisje moderne. Çdo vit fidanë dhe inpute falas për fermerët e sektorit të perimeve, shërbime veterinare falas për të gjitha ekonomitë familjare”, ka premtuar Tërnava.
Petrit Hajdari, që garon për kryetar të Drenasit, është zotuar për ndërtimin e një muzeu.
“Muzeu i Luftës që do ta ndërtojmë në Drenas nuk është thjesht kujtim, është amanet. Për ata që nuk u dorëzuan, për ata që na lanë trashëgimi guximin dhe përgjegjësinë. Kam nderin ta ndaj këtë projekt me ju”, ka thënë ai.
Edon Cana, që kandidon për kryetar të Rahovecit, ka kritikuar pushtetin aktual për, siç ka thënë, moskujdesin ndaj pjesës së vjetër të qytetit, për të cilën ka thënë se ka potencial të madh turistik.
“Në qendrën ikonike që është lënë pas dore si mos më keq, në një vend me potencial të hatashëm për t’u shndërruar në një zonë që e plotëson komplet hallkën e zhvillimit të turizmit në Rahovec. Kjo qendër kulturore dhe historike e Rahovecit, që flet shumë për traditat dhe vlerat tona me teqetë, me xhaminë, me sahatkullën, e do një trajtim të veçantë”, ka theksuar Cana.
Ndërkohë në Vushtrri kryetari Ferit Idrizi ka deklaruar se do të vazhdojë përkrahjen për gratë ndërmarrëse.
“Vizituam gratë që po zhvillojnë bizneset e tyre në Vushtrri dhe biseduam për sfidat e përditshme që i kanë në këtë rrugëtim. Në mandatin e dytë do të vazhdojmë të mbështesim fuqizimin e tyre përmes trajnimeve, rikualifikimit falas, kurseve të teknologjisë dhe gjuhëve, granteve të veçanta, si dhe programeve për ndërmarrësi e vetëpunësim. Kështu do të krijojmë edhe më shumë mundësi dhe zhvillim për çdo familje në qytetin tonë”, ka thënë Idrizi.
Gjatë ditës aktivitetin elektoral e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së. Shukri Buja ka vizituar Janjevën, e banorëve të këtij fshati u ka premtuar zgjidhje të problemit me ujin. Ai ka thënë se ky do të jetë prioriteti i tij i parë po qe se bëhet kryetar.
Kandidatët e VV-së në Prizren e Pejë zotohen për mbështetje të bizneseve të vogla
Përkujdesje për bizneset e vogla të qytetit të Prizrenit ka premtuar kandidati për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi. Ai ka akuzuar kryetarin aktual të Komunës, Shaqir Totaj, se po e keqpërdor autoritetin zyrtar për interesa private, gjë që, sipas tij, do ta cenojë mirëqenien e bizneseve të vogla.
Abrashi ka thënë se me qeverisjen e tij nuk do të lejohet ndërtimi i qendrës tregtare në Bazhdarhane, meqë kjo do të godiste bizneset e vogla e ato zejtare.
“Ky projekt do të shkatërronte bizneset e vogla që janë shpirti i këtij qyteti dhe nuk do ta lejojmë që kjo t’i ndodhë Prizrenit. Çdo zhvillim duhet të bëhet në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave të ngushta private. Shaqë, dil kallëzo ku janë 100 milionë euro? Ose mua, ose Prokurorisë”, është shprehur Abrashi.
Për bizneset e vogla e të mesme mbështetje ka premtuar edhe kandidati për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi. Ai ka thënë se kjo mbështetje do të ofrohet duke u mundësuar bizneseve krijimin e infrastrukturës së nevojshme, rritjen e kapaciteteve të punësimit e ndërlidhjen e arsimit dual me tregun e punës.
“Qeverisja jonë do të jetë pranë biznesit prodhues, duke ofruar mbështetje për krijimin e infrastrukturës së nevojshme dhe përkrahje konkrete në rritjen e kapaciteteve të punësimit. Ndërlidhja e arsimit dual me tregun e punës kërkon angazhim konkret nga Komuna. Bashkëpunimi përmes skemave konkrete krijon vende të reja të punës. E ardhmja do të jetë më e mirë kur qeverisja lokale është krah i qytetarëve dhe bizneseve të vogla e të mesme”, ka shkruar ai në Facebook.
E gjatë një vizite në Klubin e Shahut në Gjakovë, kandidati për kryetar të kësaj komune, Ardian Gola, ka premtuar ndërtimin e një kompleksi sportiv, për të cilin ka thënë se do të përfshijë shumicën e sporteve.
“Krejt çka mbetet është me e ndërru mendësinë qeverisëse. Është një kompleks sportiv që e kemi në plan ta bëjmë. Një park olimpik, ku do të jenë të gjitha hapësirat për shumicën dërrmuese të sporteve që i zhvillojmë ne si Kosovë”, ka thënë Gola.
Në Gjilan kryetari i Komunës, që synon edhe një mandat, Alban Hyseni, ka promovuar punën gjatë qeverisjes 4-vjeçare dhe është ankuar se ka paguar mbi 17 milionë euro borxhe të trashëguara. Ai ka premtuar se edhe në mandatin e ri do të tregojë disiplinë financiare.
“Komunën e kemi rikthyer në binarë të shëndoshë financiarë, duke e bërë të aftë për projekte të reja zhvillimore”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq kandidati për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, ka kritikuar kundërkandidatët e tij, për të cilët ka theksuar se po i ikin ballafaqimit publik me të për të shpalosur planet për komunën.
“Sot nga ora 13:45 e kishim të paralajmëruar debatin për Junikun këtu në KTV, ku asnjëri nga kundërkandidatët e mi nuk morën pjesë. Unë i ftoj të ballafaqohen me mua, të ballafaqojmë vizionin tonë për Junikun, sepse vetëm kështu jemi korrektë ndaj qytetarit të cilit ia kërkojmë votën dhe besimin në katër vjetët e ardhshëm”, është shprehur Tofaj.
Ai është i vetmi që ka marrë pjesë në emisionin kushtuar Junikut dhe ka premtuar ujë të pijshëm për gjithë komunën, rregullimin e shtratit të lumit Ereniku dhe rregullimin e qendrës së komunës.
Në Mitrovicë kandidati për kryetar, Faton Peci, është zotuar për mbështetjen e të rinjve në sektorin e teknologjisë, ofrim të kurseve të gjuhëve të huaja dhe trajnime për aftësim profesional.
“Të rinjtë meritojnë më shumë hapësira për krijimtari, inovacion dhe punësim”, ka shkruar ai në Facebook.
E kandidati i VV-së për kryetar të Prshtinës, Hajrulla Çeku, ka postuar një listë premtimesh për lagjen “Kodra e Trimave”, një ditë pasi ka takuar banorët e kësaj zone.
Gjatë të enjtes Çeku ka vizituar edhe disa biznese në kryeqytet.
Hyseni premton transformimin e sheshit “Ali Ajeti” në Podujevë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka thënë se një nga prioritet e tij është që ta transformojë sheshin “Ali Ajeti”.
Hyseni në një postim në Facebook ka thënë se do të ndërtohet atje çarshia e zejtarëve, e po ashtu parking nëntokësor për 300 vetura.
“Një nga prioritetet e mia si Kryetar i Podujevës do të jetë transformimi i Sheshit “Ali Ajeti””, ka shkruar Hyseni.
Berisha i AAK-së: Më 12 tetor keni dy zgjidhje: unë ose Besa Shahini e PSD-së
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që synon ta marrë pushtetin në Prishtinë, të enjten nuk ka bërë fushatë veç për vete.
Bekë Berisha ka thënë se alternativë është edhe kundërkandidatja e tij nga Partia Socialdemokrate, ndërsa për të tjerët në garë ka theksuar se nuk e meritojnë fitoren.
“Në media dhe debate po punohet shumë për t’ju bindur se keni vetëm tre kandidatë të njëjtë. Në studio ka favorizime – disa marrin më shumë hapësirë e disa të tjerë heshtin. Por shikoni Prishtinën sot: shëndetësia, kultura, jeta e qytetit – asgjë nuk funksionon. Gjendja është zero. Zgjedhjet dhe fituesit nuk i vendosin studiot televizive – ato i vendosim ne. Vetëm së bashku mund t’i prishim matematikat e tyre. Më 12 tetor keni vetëm dy zgjedhje reale: ose unë, ose Besa Shahini”, ka thënë Berisha.
Fushatën më intensive të enjten AAK-ja e ka fokusuar në Dukagjin.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Ali Berisha, që synon kthimin në krye të përgjegjësive komunale, ka thënë se objektivi i tij kryesor është kthimi i qytetit në nivelin ku, sipas tij, ka qenë dikur, duke e cilësuar gjendjen aktuale si ‘emergjente’.
Berisha ka kujtuar kohët kur Peja ishte e para për buxhet, ndërsa sot, sipas tij, ka mbetur edhe pas komunave fqinje.
"Sot s’e kemi asnjë klub të futbollit me u krenu me to. Shumë sportistë tanë që i kemi pasur kulmorë ikin prej këtu. Ku me u ushtru s’ki, ku me lujtë s’ki, ku me ushtru e ku me lujtë? Asnjë ekip në rang të lartë, asnjë ekip në Superligë. Shumë vjet kemi qenë kampionë, ku i kemi sportet tjera? Në hendboll shumë vjet kampion të Kosovës, hendbollistët tanë nuk i kemi këtu mo, ikin”, ka thënë ai.
Ndërsa në Rahovec kryetari aktual dhe kandidati për një mandat tjetër, Smajl Latifi, ka premtuar investime në infrastrukturën arsimore dhe rekreative duke përmendur ndërtimin e një parku.
“Unë jam këtu për t’ju premtuar se edhe projekti i ndërtimit të parkut në viset e jashtme të shkollës ‘Skënder Kastrati’ në Malësi të Vogël do të ndodhë. Ky mjedis meriton hapësira të reja, pajisje moderne, tabela digjitale, teknologji bashkëkohore, internet dhe aparatura audiovizive që ndihmojnë në rritjen e cilësisë së mësimit në shkollat tona”, ka thënë Latifi.
Në Gjakovë, Ardian Gjini është fokusuar te punët e kryera gjatë tetë vjetëve në krye të komunës, sidomos në infrastrukturën rurale. Ai ka theksuar se janë shtruar qindra kilometra rrugë, duke nxjerrë shumë zona nga balta.
“Fshatrat i kemi pasë në lloç. Gati 600 kilometra rrugë nëpër fshatra janë shtruar vetëm në tetë vjetët e fundit. Nuk i kemi shtruar në male, por aty ku jetojnë bashkëqytetarët tanë. Po punojmë të kalojmë në raundin e parë, por vendimin e fundit e kanë qytetarët e Gjakovës”, është shprehur Gjini.
Në Viti kandidati Labinot Bislimi ka vendosur në qendër të programit të tij zhvillimin e Sllatinës së Poshtme, duke synuar që përroi i këtij fshati të shndërrohet në një aset të vlefshëm për banorët.
“Sllatina e Poshtme ka një aset të pashfrytëzuar: përroin e saj. Ky përrua do të rregullohet në të gjithë hapësirën ku është vendbanim, do të pastrohet dhe nuk do të lejohet të hidhen mbeturina apo të derdhen kanalizime. Do të bëhen diga të vogla, duke i dhënë zonës pastërti, gjelbërim dhe një bukuri tjetër. Ky projekt do të jetë element kyç për jetën dhe mirëqenien e banorëve”, ka thënë Bislimi.
Në Istog, Ukë Blakaj ka theksuar furnizimin me energji elektrike si prioritetin e tij kryesor, duke paralajmëruar zgjidhje për problemet që, sipas tij, ua rrezikojnë jetën banorëve në fshatra.
“Fshatrat e Istogut përballen me reduktime të mëdha të rrymës elektrike, sidomos kur merr mot i lig, për shkak se kabllot dhe trafot janë stërvjetruar dhe nuk mirëmbahen. Kjo ua rrezikon direkt jetën banorëve dhe ne do ta trajtojmë me urgjencë këtë problem”, ka thënë ai.
Haradinaj: Ukë Blaka zgjidhja për një qeverisje ndryshe në Istog
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ukë Blaka është zgjidhje për një qeverisje ndryshe në Istog.
Haradinaj ka qëndruar në Istog për t’i dhënë përkrahje kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Ukë Blaka.
Haradinaj ka thënë se Istogu meriton më shumë.
“Potenciali i tij i madh, veçanërisht në turizëm, ka mbetur i pashfrytëzuar për shkak të qeverisjes së deritashme. Ukë Blaka është zgjidhja për një qeverisje ndryshe në Istog. Me një karrierë të dëshmuar si ndërmarrës, ai e kupton rëndësinë e menaxhimit të burimeve që ka Istogu. Sot, në takim me qytetarë të kësaj komune, u ndjeva i bindur se Istogu është gati për ndryshim, për një mentalitet të ri qeverisës, gjë që e dëshmon edhe lista jonë për Asamble, njerëz me profile të ndryshme, profesionistë, të rinj, të angazhuar, të gjithë me një qëllim të vetëm: që secili potencial i Istogut të shndërrohet në zhvillim, mirëqenie dhe mundësi reale për çdo qytetar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kuçi shpalos planin për tregun në Deçan
Kandidatja e PSD-së për kryetar të Deçanit, Natyra Kuçi, ka shpalosur planin për tregun publik në këtë qytet, për të cilin ka thënë se do t’i ketë kushtet e përshtatshme për të gjitha stinët.
Ajo ka vizituar tregun publik në Deçan të enjten, ku është takuar me tregtarët dhe ka shpalosur planin e saj.
“Shumë shtrëngime duarsh e fjalë të mira morëm sot, gjatë vizitës në treg. Aty shpalosëm planin tonë për Tregun publik i cili do të ketë kushte të përshtatshme për të gjitha stinët. Tregu është pjesë e rëndësishme e qytetit tonë dhe i jep gjallëri qytetit. Andaj do të ketë edhe vëmendjen tonë”, ka shkruar Kuçi në Facebook.
Ismaili prezanton planin për Arbërinë: Çerdhe, shkollë dhe linja të reja të trafikut
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka renditur projektet të cilat i parasheh t’i realizojë në lagjen “Arbëria”, nëse zgjidhet kryetar i kryeqytetit.
“Plani për këtë lagje përfshinë: Ndërtimin e çerdhes për fëmijët e lagjes, ndërtimin e një shkolle të re, lidhjen e shkallëve emblematike të Arbërisë deri te parku, integrimin e stacionit të trenit dhe vijës hekurudhore me korridore për këmbësorë, linja të reja të trafikut urban që mbulojnë tërë lagjen, dy terrene sportive për futboll dhe basketboll dhe park të ri me kënde lojërash për fëmijë”, ka njoftuar Ismaili.
Sipas kandidatit Ismaili, këto projekte kanë dalë drejtpërdrejt nga kërkesat dhe nevojat e banorëve të Arbërisë.
Shahini e PSD-së: 30 çerdhe e kopshte publike në të gjitha lagjet e Prishtinës, ulin shpenzimet mujore
Kandidatja për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, përmes një videoje të publikuar në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se ndërtimi i 30 çerdheve e kopshteve publike, do të ulnin shpenzimet mujore familjare.
Ndërtimi i tyre është një nga premtimet e Shahinit në fushën e arsimit.
“Çerdhet dhe kopshtet publike kryejnë tri funksione thelbësore për familjet e Prishtinës. U japin fëmijëve një fillim të mbarë me kujdes edhe edukim të mirë. U mundësojnë nënave kthim në tregun e punës me mendjen e qetë dhe ulin shpenzimet familjare, një pjesë e të cilave shpenzohet në çerdhe dhe kopshte private. Me 30 çerdhe dhe kopshte publike që do t’i themelojmë në të gjitha lagjet e Prishtinës, ne i zvogëlojmë shpenzimet mujore për familjet e Prishtinës”, deklaroi Shahini.
Muhaxheri pas takimeve në disa fshatra të Pejës: Fjala e mbajtur shihet në vepra
Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, njëherësh kandidat edhe për një mandat tjetër në krye të kësaj komune nga radhët e LDK-së, ka zhvilluar takim me banorë të fshatrave: Terstenik, Ruhot e Lutogllavë.
Sipas Muhaxherit, mbështetja që kanë marr nga banorët e këtyre fshatrave dëshmon që fjala e mbajtur shihet në vepra.
“Tresteniku, Ruhoti dhe Lutogllava treguan mbështetje të fuqishme për punën tonë; banorët e këtyre fshatrave dëshmuan se fjala e mbajtur shihet me vepra, dhe ky besim është forca që na shtyn të vazhdojmë edhe 4 vite të tjera.”, ka shkruar Muhaxheri në një postim në Facebook.
Çeku: Platforma jonë synon rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku të mërkurën ka zhvilluar një takim me gratë në kryeqytet.
Ai ka thënë se sa më shumë gra në pozita vendimmarrëse, aq më e drejtë dhe më e zhvilluar do të shoqëria jonë.
“Në takim me to diskutuam hallet e shqetësimet ndërsa prezantuam propozimet tona konkrete për mbështetje. Platforma jonë synon rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, punësim dhe sipërmarrje, që gratë të jenë jo vetëm shtylla e familjes, por edhe e ekonomisë e politikës”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Krasniqi takon studentët në Prizren: Me Shaqën, ky qytet po krijon mundësi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar dje në Prizren, ku bashkë me kryetarin e e kësaj komune, Shaqir Totaj, kanë mbajtur tubim me studentët e Prizrenit, me ç’rast kanë kujtuar edhe protestat studentore të 1 tetorit 1997.
Krasniqi është shprehur se studentët duhet ta shohin veten si krijues të së ardhmes për një Kosovë më të mirë.
“Me Shaqën, ky qytet është hapur për investime, për projekte kulturore, për turizëm dhe për mundësi që të rinjtë të mos e shohin të ardhmen jashtë, por këtu. Por as kryetari, as qeveria, asnjë parti nuk mund ta ndryshojë Kosovën pa ju. Sepse nëse historia na ka mësuar diçka, është kjo: ndryshimi gjithmonë fillon nga studentët. Prandaj, sot, në këtë ditë historike, ju bëj një thirrje: Ashtu siç doli brezi i ’97-ës për të na dhënë lirinë, dilni edhe ju sot për të na dhënë të ardhmen. Mos u kënaqni me pak. Mos u pajtoni me një Kosovë të zakonshme. Kërkoni një Kosovë më të mirë. Dhe mos e shihni veten vetëm si përfitues të së ardhmes, por si krijues të saj”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili po synon mandatin e radhës, u zotua për shtimin e mundësive në fushën e arsimit, me theks të veçantë në pjesët që ndërlidhen me zhvillimet e reja teknologjike dhe inteligjencën artificiale.
“Bashkërisht qytetin e Prizrenit do ta bëjmë qytet model, shembull, sepse kemi potencial, kemi energji, kemi dije. Prandaj, vazhdojmë bashkë drejt sukseseve të reja”, ka thënë Totaj.
Gjatë ditës, Krasniqi dhe Totaj përuruan stadiumin e ri të futbollit në Gjonaj të Hasit, në 50-vjetorin e themelimit të klubit “Drini i Bardhë”.
Ramosaj nga Gllogjani: Vazhdon të jetë vend frymëzimi e motivimi për mua
Kryetari i Komunës së Deçanit, njëherësh kandidat nga AAK-ja për një mandat tjetër, Bashkim Ramosaj, të mërkurën ka mbajtur një takim me qytetarë në Gllogjan.
Gllogjanin, Ramosaj e quajti vend që akoma vazhdon të jetë burim prej nga motivohen e frymëzohen për punë të mira për vendin.
“Sonte, bashkë me gjeneralin Daut Haradinaj, qëndruam në vendlindjen e tij, në Gllogjanin heroik! Të nderuar e mirënjohës për entuziazmin dhe mbështetjen tuaj të madhe. Vendi ku u frymëzuan me ideal e shpirt liridashës breza të tërë, vazhdon edhe sot të jetë burim frymëzimi, motivimi e vendosmërie në rrugën tonë të shtetndërtimit dhe të punëve të mira për vendin”, ka shkruar në një postim në Facebook kandidati Ramosaj.