Zgjedhjet lokale

Gjini premton kanalizim për çdo fshat në Gjakovë, Latifi përkujdesje për të moshuarit në Rahovec

Ramush Haradinaj

Kandidatë të AAK-së për kryetarë komunash kanë prezantuar projekte konkrete nëse i fitojnë zgjedhjet e 12 tetorit. Në Gjakovë, Ardian Gjini e ka premtuar përfundimin e projektit “Tre lumenjtë dhe liqeni” dhe është zotuar për kanalizim në çdo fshat. Në Rahovec, Smajl Latifi ka premtuar mbështetje ekonomike dhe përkujdesje për të moshuarit. Bekë Berisha është angazhuar për mbështetjen e të drejtave dhe për integrimin e të verbërve në Prishtinë. Në Gjilan, Nazim Gagica ka shprehur zotimin për rikthimin e zhvillimit dhe të përgjegjësisë në qeverisje. Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi e ka bërë premtimin për t’i përkrahur prodhuesit vendorë dhe për ta funksionalizuar zonën industriale. E teksa në Pejë, Ali Berisha ka premtuar zgjidhje për mungesën e ujit dhe ndërtimin e impianteve për ujërat e zeza, në Suharekë, kandidati për kryetar, Bali Muharremaj, është zotuar për investime në infrastrukturë

Kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për edhe një mandat, Ardian Gjini, ka thënë se koncepti i tre lumenjve dhe liqenit” është në proces të realizimit dhe se gjatë katër vjetëve të ardhshëm të qeverisjes së tij do të përfundojë plotësisht.

Gjatë fushatës të së mërkurës, Gjini ka premtuar që një prej angazhimeve kryesore të tij në mandatin e ardhshëm do të jetë përfundimi i trajtimit të ujërave të zeza në të gjitha fshatrat e komunës. 

“Gjakova do të jetë i vetmi qytet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, që i ka të gjitha fshatrat e lidhura me ujë dhe me kanalizim të trajtuar”, ka theksuar ai.

E në Rahovec, kandidati i AAK-së që e synon edhe një mandat si kryetar komune, Smajl Latifi, është zotuar t’u ofrojë përkujdesje më të madhe të moshuarve dhe ndihmë ekonomike e përkujdesje sociale për qytetarët në nevojë.

“Programi ynë parasheh masa konkrete, duke përfshirë subvencionimin e qirasë dhe sigurimin e banesave për ata që jetojnë në kushte të rënda ekonomike. Përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme do të ofrojmë edhe përkujdesje të rregullt për të moshuarit e komunës”, ka thënë Latifi.
Në kryeqytet, kandidati për kryetar komune, Bekë Berisha, ka shprehur nevojën për renovimin e objektit të Shoqatës së të Verbërve dhe për mbështetjen e mirëqenies së qytetarëve që i përkasin kësaj kategorie. 

E në Gjilan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me kandidatin e partisë së tij për kryetar, Nazim Gagica, komuna do të ketë udhëheqje të përgjegjshme që sjell ndryshim të vërtetë.

“Gjilani ka nevojë për Nazim Gagicën, sepse qyteti është në një gjendje të rëndë. Aleanca ka forcën ta nxjerrë Gjilanin nga kjo katrahurë dhe ta rikthejë në rrugën e zhvillimit. Kur kemi qeverisur në nivel vendi, si kryeministër, Gjilani kishte vëmendjen e merituar të Qeverisë, duke e mbështetur pa rezervë. Dëshmi e këtij përkushtimi është autostrada që e filluam në vitin 2018 e që ende nuk i dihet fundi për shkak të pazotësisë së atyre që tradhtuan besimin e qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë ai.
Besnik Krasniqi, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar komune në Prizren, e ka përqendruar fushatën elektorale të mërkurën në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe në mbështetjen e prodhuesve vendorë. 

Ai është zotuar se pjesën më të madhe të fondit 27 milionë eurosh të komunës për subvencione do t’ua ndajë bizneseve prodhuese. 

“Unë publikisht zotohem që 80 për qind e këtyre subvencioneve do t’i orientojë te prodhuesit. Zona industriale që na është dhënë me vendim të qeverisë, e cila deri më sot nuk është funksionalizuar, do të vihet në shërbim të qytetit brenda një afati rekord”, ka premtuar Krasniqi.

E në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ali Berisha, e ka kritikuar udhëheqjen aktuale për mungesën e ujit të pijshëm në qytet dhe në fshatra.

“Në krejt botën krijohen kapacitete grumbulluese të ujërave në momentet kur ka shumë, që mandej të shfrytëzohen kur ka më pak. Kjo është mungesa edhe e shumë ujësjellësve në shumë lokalitete që nuk ka ujë tamam. Dhe besoj që në qeverisjen time do të ketë kapacitete grumbulluese, kur ka për t’u grumbulluar uji dhe ka për t’u shfrytëzuar ashtu siç duhet, dhe për asnjë moment banorët nuk guxojnë të kenë mungesë të ujit. Kanalizimet janë një pyetje e veçantë – nuk do të mund të shkojmë askund pa impiante të ujërave të zeza. Impiantet duhet të jenë në çdo vend”, është shprehur Berisha.

Ndërkaq, kandidati për kryetar komune në Suharekë, Bali Muharremaj, i cili e synon edhe një mandat në këtë post, të mërkurën ka mbikëqyrur punimet të cilat janë duke u zhvilluar në Zonën Industriale, që e lidh qytetin me fshatrat Leshan dhe Tërrnje.

Lexo përditësimet tjera
Fushata zgjedhore

Dita e 19-të e fushatës