Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 19-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Aliu premton “serra smart” për bujqit në Ferizaj, Ismaili “palestër vertikale” në Prishtinë

1 muaj më parë / 1 tet 2025 22:40 Nga: Rrezon Gashi
pdk

Investime prej shumë miliona eurosh kanë premtuar kandidatë të Partisë Demokratike (PDK) për kryetarë të komunave gjatë fushatës elektorale të së mërkurës.

Në Ferizaj, kryetari aktual i komunës dhe kandidat për edhe një mandat, Agim Aliu, është zotuar për investime në bujqësi, që përfshijnë fushën e teknologjisë dhe të infrastrukturës.

“Mbi 7 milionë euro investime për ferma më produktive dhe fshatra më të zhvilluar. ‘Serra Smart’ me sensorë për lagështi, temperaturë dhe ujitje automatike. Kontroll nga telefoni, prodhim i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, më pak kosto, më shumë rendiment. Nisim me ferma familjare dhe të mesme modele të thjeshta për t’u përsëritur. Sisteme të ujitjes, rezervuarë të ujërave atmosferikë dhe zgjidhje sipas zonës... Investim në hapjen e rrugëve të reja të arave për qasje më të lehtë në toka bujqësore.

Efiçiencë në kohë, më pak shpenzime transporti, më shumë leverdi dhe arsye që të rinjtë tanë ta shohin bujqësinë si biznes. Do të investojmë në basene për silazh dhe subvencione për silose”, është zotuar ai.

Në Prizren, kryetari Shaqir Totaj, i cili njëherësh është në garë edhe për mandatin e dytë, ka thënë se qyteti është duke u pasuruar me projekte të reja kulturore dhe sportive, tek e shpalosi një monument në rrugët e qytetit.

“Rrethi i Bazhdarhanës u hijeshua sot me përurimin e monumentit ‘Vrapuesja e Prizrenit’, një artefakt i rrallë i zbuluar në rajonin e Prizrenit dhe i ruajtur prej dekadash në Muzeun Britanik të Londrës. Kjo vepër unike simbolizon identitetin unik të Prizrenit dhe përbën një vazhdimësi të ruajtjes së trashëgimisë sonë historike”, ka thënë Totaj, teksa ka njoftuar edhe për përurimin e stadiumit të ri të futbollit në Gjonaj.

Riad Rashiti, i cili është kandidat i PDK-së për kryetar në Gjilan, ka premtuar kontrolle sistematike mjekësore për nxënës dhe pensionistë.

“Asnjë mjek i përgjithshëm PA punë; Funksionalizimi i projektit ‘Përzgjedh mjekun familjar’; Mbulim i tërësishëm i barërave esenciale nga buxheti komunal për nivelin primar; Furnizimi i rregullt me material për analiza laboratorike; Kontrollet sistematike për nxënësit klasa 1/5/9; Kontrolle për pensionistët; një herë në vit me ekg e analiza laboratorike; Rritje e buxhetit për subvencionim të barërave dhe pajisjeve të tjera mjekësore në DSH; Kampanja ndërgjegjësuese për sëmundjet kronike- përmes grupit të edukimit; Karrigia e stomatologut në shkollat e mëdha; QMF e AMF të reja; Menaxhim dhe planifikim i resurseve humane për nevojat e shëndetësisë primare; Rritje e buxhetit për subvencionim të OJQ-ve, ku për fokus kanë mbështetjen e grupeve të cenueshme”, ka shpalosur Rashiti planin e tij.

Në Fushë-Kosovë, kandidati Rrahim Tërnava ka publikuar një pjesë të platformës së tij për gratë dhe vajzat, duke premtuar qendra, biznese e mbështetje të drejtpërdrejtë financiare.

“Pikat kryesore të platformës sonë për gratë: Përfshirje 40–50% të grave në vendimmarrje; Qendra për gratë viktima & Zyra për barazinë gjinore; 200 biznese të reja për gra; 200 projekte praktike me pagesë për vajza; 12 panaire mujore; 5 kooperativa fermere për gra; 500 € për çdo lindje, 1000 € për fëmijën e tretë; Subvencione banesash për çiftet e reja; Kartë komunale për 1.000 familje të reja; 10 çerdhe e kopshte të reja; 100 bursa STEM për vajza çdo vit; Mbështetje për arsimin e vajzave të reja; Klinikë mobile gjinore; Kartë shëndeti për gratë dhe kontrolle falas që shpëtojnë jetë”, ka thënë Tërnava. 

E në Prishtinë, kandidati i PDK-së për kryetar komune, Uran Ismaili, ka shpalosur zotimet e tij për lagjen Kolovicë, e në të cilën ka thënë se planifikon që të bëjë investime në rrafshin e arsimit, të infrastrukturës dhe në transport publik.

“Këto janë zotimet e mia për Kolovicën: Ndërtimi i çerdhes së re për lagjen, Qendër Komunitare Multifunksionale, Palestër vertikale në tri nivele për sporte të ndryshme, legalizimi i pronave dhe hartimi i planit rregullues për lagjen, ndriçim publik në çdo rrugë dhe hapësirë publike, përmirësim i infrastrukturës rrugore dhe të trotuareve, autobusë modernë, pritore të ndriçuara dhe transport publik i qasshëm nga të gjitha pjesët e lagjes”, ka deklaruar Ismaili.

Haliti premton ngrohtore qendrore në Ferizaj, Bulliqi subvencione për blegtorë në Podujevë

1 muaj më parë / 1 tet 2025 22:23 Nga: Marigona Brahimi
enver haliti

Ngrohtore qendrore ka premtuar të mërkurën në Ferizaj kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të komune, Enver Haliti. 

Ai ka thënë se në rast se e siguron mandatin qeverisës pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ngrohtorja do të ndërtohet afër Kazermës së Ferizajt dhe se ajo do të jetë me impiantin e kombinuar solar, të fuqisë 50 megavate. 

Haliti është zotuar se funksionalizimi i kësaj ngrohtoreje do t’u mundësojë qytetarëve që të kenë kosto të përballueshme për ngrohje, se do ta shkarkojë rrjetin e energjisë elektrike dhe do t’i kursejë malet nga prerja.

“Ngjashëm si te projekti Solar 4 Kosovo i ‘Termokosit’, edhe ngrohtorja jonë do ta konservojë energjinë e akumuluar solare në rezervuarin special nëntokësor të ujit, nga i cili do të ngrohemi gjatë tërë sezonit të dimrit. Në fazën e parë të projektit, planifikohen ndërtimi i impiantit dhe shtrirja e sistemit të tubacionit që do të mbulojë qendrën e qytetit, lagjet ‘Driton Islami’, ‘Vëllezërit Gërvalla’ dhe ‘Rexhep Bislimi’ bashkë me rrugicat e ndërlidhura, apo kyçje për 10 mijë familje”, ka premtuar Haliti.

Në Gjilan, kryetari aktual i komunës dhe kandidati i LVV-së për edhe një mandat, Alban Hyseni, ka shpalosur të mërkurën programin për katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes lokale. Në fushën e arsimit, Hyseni është zotuar të ndërtojë katër çerdheve të reja në fshatra dhe në lagje të Gjilanit. Krahas kësaj, ka premtuar nisjen e mësimit gjithëditor nëpër shkolla të komunës, si dhe shujta për fëmijë. Në këtë synim, ai është zotuar që ta  krijojë ndërmarrjen publike komunale “Kuzhina Qendrore”, nëpërmjet së cilës ka thënë se do të sigurohen shujta për nxënës dhe shërbime për palët e treta për të krijuar fitim. 

Në rrafshin e shëndetësisë, ai është zotuar që ta ndërtojnë objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen “Fidanishte”, si dhe ambulancën e re të mjekësisë familjare në Uglar. Në fushën e shërbimeve sociale për qytetarët e Gjilanit, Hyseni ka thënë se në plan e ka ndërtimin e njësive të reja të banimit të përballueshëm social, si dhe ndërtimin e dy qendrave – njërën për qëndrim ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe tjetrën për pensionistët. Për pensionistët ai ka premtuar të sigurojë edhe barna falas.

E në Podujevë kryetari aktual, Shpejtim Bulliqi, i cili e synon edhe një mandat në këtë detyrë, ka premtuar mbështetje për blegtorë nëpërmjet subvencionimit të rregullt për litër qumështi.
“Nga 1 janari do të keni subvencion të rregullt të litrit të qumështit, sa të prodhoni aq do të përfitoni. Tash, përveç subvencionit që e merrni në nivelin qendror do të keni një pjesë të subvencionimit edhe në nivelin lokal”, ka premtuar Bulliqi.

Në Pejë, kandidati i LVV-së për kryetar komune, Taulant Kelmendi, ka thënë se prioritet i qeverisjes së tij lokale do të jetë investimi për mbajtjen e rinisë brenda Pejës dhe Kosovës. 

E nga një vizitë në Matiçan, kandidati i LVV-së për kryetar komune në Prishtinë, Hajrulla Çeku, ka kritikuar kryetarin aktual dhe kundërkandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Përparim Rama, se e ka lënë këtë lagje të Prishtinës pa furnizim me ujë, me kanalizime jofunksionale, me rrugë të paasfaltuara dhe me ndriçim publik të munguar. Ai ka thënë se me qeverisjen e tij, investimet nuk do të mungojnë në asnjë lagje të Prishtinës. 

“Platforma jonë sjell zgjidhje. Çdo lagje do të ketë investime, parkun, këndin për fëmijë, hapësirat sportive e komunitare, shërbimet bazike aty ku jetojnë qytetarët. Prishtinës i duhet një qeverisje që e përfshin qytetarin në hartim e zbatim të zgjidhjeve dhe i sjell shërbimet në çdo lagje”, është zotuar Çeku.

E kandidati për kryetar komune në Mitrovicë, Faton Peci, gjatë vizitës që të mërkurën e pati në Vinarc dhe në Luginë të Ibrit, u ka premtuar banorëve rrugë të reja, ujë të pijshëm e ujitje për bujqësinë, si dhe mirëmbajtje të liqenit.

Gjini premton kanalizim për çdo fshat në Gjakovë, Latifi përkujdesje për të moshuarit në Rahovec

1 muaj më parë / 1 tet 2025 22:17 Nga: Arianita Hoti
Ramush Haradinaj

Kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për edhe një mandat, Ardian Gjini, ka thënë se koncepti i tre lumenjve dhe liqenit” është në proces të realizimit dhe se gjatë katër vjetëve të ardhshëm të qeverisjes së tij do të përfundojë plotësisht.

Gjatë fushatës të së mërkurës, Gjini ka premtuar që një prej angazhimeve kryesore të tij në mandatin e ardhshëm do të jetë përfundimi i trajtimit të ujërave të zeza në të gjitha fshatrat e komunës. 

“Gjakova do të jetë i vetmi qytet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, që i ka të gjitha fshatrat e lidhura me ujë dhe me kanalizim të trajtuar”, ka theksuar ai.

E në Rahovec, kandidati i AAK-së që e synon edhe një mandat si kryetar komune, Smajl Latifi, është zotuar t’u ofrojë përkujdesje më të madhe të moshuarve dhe ndihmë ekonomike e përkujdesje sociale për qytetarët në nevojë.

“Programi ynë parasheh masa konkrete, duke përfshirë subvencionimin e qirasë dhe sigurimin e banesave për ata që jetojnë në kushte të rënda ekonomike. Përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme do të ofrojmë edhe përkujdesje të rregullt për të moshuarit e komunës”, ka thënë Latifi.
Në kryeqytet, kandidati për kryetar komune, Bekë Berisha, ka shprehur nevojën për renovimin e objektit të Shoqatës së të Verbërve dhe për mbështetjen e mirëqenies së qytetarëve që i përkasin kësaj kategorie. 

E në Gjilan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me kandidatin e partisë së tij për kryetar, Nazim Gagica, komuna do të ketë udhëheqje të përgjegjshme që sjell ndryshim të vërtetë.

“Gjilani ka nevojë për Nazim Gagicën, sepse qyteti është në një gjendje të rëndë. Aleanca ka forcën ta nxjerrë Gjilanin nga kjo katrahurë dhe ta rikthejë në rrugën e zhvillimit. Kur kemi qeverisur në nivel vendi, si kryeministër, Gjilani kishte vëmendjen e merituar të Qeverisë, duke e mbështetur pa rezervë. Dëshmi e këtij përkushtimi është autostrada që e filluam në vitin 2018 e që ende nuk i dihet fundi për shkak të pazotësisë së atyre që tradhtuan besimin e qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë ai.
Besnik Krasniqi, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar komune në Prizren, e ka përqendruar fushatën elektorale të mërkurën në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe në mbështetjen e prodhuesve vendorë. 

Ai është zotuar se pjesën më të madhe të fondit 27 milionë eurosh të komunës për subvencione do t’ua ndajë bizneseve prodhuese. 

“Unë publikisht zotohem që 80 për qind e këtyre subvencioneve do t’i orientojë te prodhuesit. Zona industriale që na është dhënë me vendim të qeverisë, e cila deri më sot nuk është funksionalizuar, do të vihet në shërbim të qytetit brenda një afati rekord”, ka premtuar Krasniqi.

E në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ali Berisha, e ka kritikuar udhëheqjen aktuale për mungesën e ujit të pijshëm në qytet dhe në fshatra.

“Në krejt botën krijohen kapacitete grumbulluese të ujërave në momentet kur ka shumë, që mandej të shfrytëzohen kur ka më pak. Kjo është mungesa edhe e shumë ujësjellësve në shumë lokalitete që nuk ka ujë tamam. Dhe besoj që në qeverisjen time do të ketë kapacitete grumbulluese, kur ka për t’u grumbulluar uji dhe ka për t’u shfrytëzuar ashtu siç duhet, dhe për asnjë moment banorët nuk guxojnë të kenë mungesë të ujit. Kanalizimet janë një pyetje e veçantë – nuk do të mund të shkojmë askund pa impiante të ujërave të zeza. Impiantet duhet të jenë në çdo vend”, është shprehur Berisha.

Ndërkaq, kandidati për kryetar komune në Suharekë, Bali Muharremaj, i cili e synon edhe një mandat në këtë post, të mërkurën ka mbikëqyrur punimet të cilat janë duke u zhvilluar në Zonën Industriale, që e lidh qytetin me fshatrat Leshan dhe Tërrnje.

Abdixhiku: Visar Azemi është kandidat i shpresës dhe i së ardhmes së Ferizajt

1 muaj më parë / 1 tet 2025 22:01 Nga: Ardona Popova
Abdixhiku-Azemi

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë zotimin për ringjalljen e ekonomisë, për investime në arsim dhe shëndetësi, si dhe për qeverisje me dinjitet në Ferizaj gjatë tubimit elektoral të mbajtur në këtë qytet. 

Para qytetarëve në Ferizaj, ai ka shprehur kritikë ndaj qeverisjes aktuale për mungesë vizioni dhe për premtime të papërmbushura në komunën të cilën e ka kualifikuar si gjenerator të zhvillimit të Kosovës.

“Ferizaj nuk është thjesht një qytet i zakonshëm në hartën e Kosovës. Ferizaj është zemra e ekonomisë sonë, është zemra e industrisë, është qendra e ndërmarrësisë, është djepi i rinisë dhe i energjisë që e çon Kosovën përpara. Kur flasim për Ferizajn, flasim për qytetin që gjithmonë ka pasur guximin të ëndërrojë më shumë, të punojë më shumë, të ndërtojë më shumë. Për katër vjet me radhë, pushteti lokal dhe qendror kanë dështuar. Në vend që të përkrahnin biznesin, ata e kanë ngufatur atë. Në vend që të investonin për të rinjtë, ata i kanë lënë të ikin, duke e zbrazur qytetin nga energjia e tij më e madhe. Në vend që të ndërtonin shkolla moderne, ata kanë lënë klasa të vjetruara”, ka theksuar Abdixhiku.

Qytetarëve në Ferizaj ai ua ka kërkuar mbështetjen më 12 tetor për kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Visar Azemi. 

“Visar Azemi nuk është vetëm kandidat i Lidhjes Demokratike. Ai është kandidati i shpresës, kandidati i punës, kandidati i së ardhmes. Sepse ai e kupton se Ferizaj nuk mund të jetë qyteti i stagnimit, por duhet të jetë qyteti i inovacionit. Nuk mund të jetë qyteti i dështimit, por duhet të jetë qyteti i suksesit. Nuk mund të jetë qyteti i ikjes, por duhet të jetë qyteti i kthimit. Nuk mund të jetë qyteti i propagandës, por duhet të jetë qyteti i rezultateve”, ka thënë Abdixhiku.

Në vazhdën e fushatës të mërkurën, kandidatë të LDK-së për kryetarë komunash kanë prezantuar zotime konkrete.

Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli është zotuar që në rast se e fiton garën për kryetar do të ofrojë mbështetje për bizneset e vogla, të cilat i ka quajtur shtyllë kryesore të ekonomisë së qytetit.
“Nga këpucëtaritë, mobilieritë, dyqanet e telefonave, marketet e vogla individuale e deri te tregtarët në rrugë, pashë nga afër punën, përkushtimin dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë qytetarët tanë punëtorë. Si kryetar i ardhshëm i Mitrovicës, angazhimi im është i qartë: T’i mbështesim bizneset e vogla me lehtësira konkrete. Të krijojmë hapësira për zhvillim e inovacion”, ka theksuar Plakolli.

Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli u ka premtuar banorëve të fshatit Pogragjë ujë të pijshëm, asfaltimin e rrugëve lokale, funksionalizimin e infrastrukturës turistike te Kalaja e Pogragjës, si dhe pastrimin e rregullimin e shtratit të lumit.

“Pogragja: 3 projekte kryesore në qeverisjen tonë; Ujë i pijshëm i sigurt për çdo familje. Asfaltim i rrugëve lokale dhe funksionalizim i Kalasë së Pogragjës si destinacion turistik. Pastrim dhe rregullim i shtratit të lumit për një ambient më të pastër e më të shëndetshëm”, është zotuar Ismajli.

E kandidati i LDK-së për kryetar komune në Prizren, Driton Selmanaj, e ka premtuar funksionalizimin e zonës industriale, ndërsa ka paralajmëruar dhe projektin e pesë zonave të tjera ekonomike për zhvillimin e bizneseve.

“Ideja jonë si LDK është që vërtet me transformu Prizrenin, me kriju hapësira të mjaftueshme për zhvillim biznesi. Tani ne e kemi pjesë të programit, bashkë me ekonomistët tanë, që LDK-ja shquhet edhe në nivel vendi që i ka ekonomistët më të mirë, e kemi bërë bashkë me ta një program që jo vetëm që do ta funksionalizojmë zonën industrial, po se po atë, por edhe pesë zona të tjera ekonomike do t’i projektojmë”, ka deklaruar Selmanaj.

Xhafer Tahiri, i cili më 12 tetor synon që të kthehet në krye të Komunës së Vushtrrisë, është zotuar të mërkurën që fshatin Studime dhe lagjen “Galip Badivuku” t’i ketë prioritete të para gjatë qeverisjes së tij lokale. Në këtë synim ai ka premtuar se do të bëjë investime në infrastrukturë, në hapësira të gjelbra dhe t’u ofrojë mbështetje bizneseve lokale.

Haradinaj: Gjilani e ka pasur vëmendjen e Qeverisë sa kam qenë kryeministër, e filluam autostradën

1 muaj më parë / 1 tet 2025 19:46
Ramush Haradinaj

Në kuadër të vizitave nëpër komuna, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj të mërkurën ka qëndruar në Gjilan, në mbështetje të kandidatit të partisë së tij për kryetar, Nazim Gagica.

Duke bashkangjitur disa fotografi nga tubimi, Haradinaj ka shkruar se Gjilani ka nevojë për Nazim Gagicën. Haradinaj gjithashtu ka shkruar se sa ka qenë ai kryeministër, Gjilani ka pasur vëmendjen e Qeverisë.

“Gjilani ka nevojë për Nazim Gagicën, sepse qyteti është në një gjendje të rëndë. Aleanca ka forcën ta nxjerrë Gjilanin nga kjo katrahurë dhe ta rikthejë në rrugën e zhvillimit. Kur kemi qeverisur në nivel vendi, si kryeministër, Gjilani kishte vëmendjen e merituar të Qeverisë, duke e mbështetur pa rezervë. Dëshmi e këtij përkushtimi është autostrada që e filluam në vitin 2018 e që ende nuk i dihet fundi për shkak të pazotësisë së atyre që tradhtuan besimin e qytetarëve të Gjilanit”, shkroi mes tjerash në një postim në Facebook, Haradinaj.

Rama: Mamografi falas për gratë gjatë gjithë muajit në Prishtinë

1 muaj më parë / 1 tet 2025 15:44
Perparim Rama

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili po garon edhe për një mandat të dytë, ka njoftuar se gjatë gjithë tetorit do të ketë mamografi falas.

Këtë njoftim ai e dha përmes një videoje të publikuar në faqen e tij në Facebook, ku është thënë se Prishtina është pjesë e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

“Tetori është rozë. Edhe Prishtina. Mamografia falas, gjatë gjithë tetorit në Prishtinë. E ti që je duke kaluar këtë sfidë, DO T’IA DALËSH”,, ka shkruar ai. 

Rama ka thënë se kontrollet e mamografisë do të ofrohen në qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. 

“Në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ofrojmë kontrolle mamografie falas për të gjitha gratë. Sepse kontrolli i hershëm shpëton jetë. Një vizitë sot mund të bëjë diferencën për të ardhmen”, ka thënë ai. 

 

Krasniqi: Lipjani ka nevojë për një njeri të vendosur si Shukri Buja

1 muaj më parë / 1 tet 2025 14:19
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar mbrëmë në Lipjan në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Shukri Buja.

Krasniqi duke bërë thirrje që më 12 tetor të votohet numri 191 dhe PDK-ja ka thënë se njeriu i vetëm që di të bëjë punë të mëdha dhe ka vizion për zhvillimin e Lipjanit është Buja.

“Shumë prej jush më keni thënë Lipjani ka nevojë për një njeri të vendosur, për një njeri që e njeh punën dhe jo më për eksperimente politike. Dhe keni të drejtë, jam pajtuar me ju, sepse nuk ka kohë më për lojëra, nuk ka më kohë për aventura e për eksperimente. Është koha për kthim të zhvillimit, është koha për projekte konkrete, është koha për një kryetar, i cili jo vetëm që e njeh Lipjanin në katër anët e tij, por që e ka këtë angazhim për Lipjanin çdo ditë të jetës së tij dhe nuk ka punë tjera. Shukri Buja është ai njeri”, ka theksuar ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja ka thënë se ekipi i tij përbëhet nga 53 profesionistë të fushave të ndryshme, me të cilët do ta realizojë programin e tij për ma mirë.

“Të ju flas për veten ju më njihni. Unë kam dalë në terren kohë të gjatë deri sa i kam identifikuar problemet, kam identifikuar projektet, kam biseduar lagje më lagje, fshat më fshat, nga dy, nga tri herë. Në veçanti në Lipjan me ekipet e partisë, me qytetarët, me shtresat e ndryshme dhe këto që sot do t’i prezantojmë janë propozimet tuaja, janë idetë tuaja”, ka thënë Buja.

“Rrezik”, PDK-ja me aksion në Komunën e Drenasit

1 muaj më parë / 1 tet 2025 14:15
Komuna e Drenasit

Photo: Ekonomia Online

Aktivistë të PDK-së kanë rrethuar Komunën e Drenasit me shirita të verdhë në të cilën shkruhej “Rrezik”, raporton "Ekonomia Online".

Aksioni është mbajtur si reagim ndaj kryetarit aktual të Komunës, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të një audoincizimi nga VOX Kosova. Në atë audoincizim dëgjohet Ramiz Lladrovci teksa bisedon me biznesmenin Labinot Halilaj, që është edhe kandidat për asamble nga lista "Për Drenasin Kampion" të Ramiz Lladrovcit. Ata diskutojnë për vlerën se sa mund të fitohet në rast se ndërtohet në një parcelë të komunës, e poashtu përmendet edhe mundësia e mbindërtimit.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka thënë se ai audioincizim është “fotografi e pastër e qeverisjes së Lladrovcit”. 

“Ai që thirrej në qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit”, ka thënë Hajdari në një prononcim për media pas aksionit. 

Lladrovci të martën e quajti publikimin e asaj bisede tendencë për shantazh politik, sepse sipas tij, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, e ka kapur frika e humbjes në Komunën e Drenasit duke i parë sondazhet për fituesin e zgjedhjeve atje.

“Sigurisht, e ka kapë frika Memli Krasniqin dhe kryesinë e tij, ata që votuan kundër nominimin tim, është e drejtë me votu por jo me i shti në telashe 26 anëtarë të kryesisë që i shantazhon dhe i urdhëron me ardhur në Drenas me punu e me i fitu zgjedhjet por nuk i fiton zgjedhjet”, ka deklaruar Lladrovci.

Lladrovci ka publikuar edhe një bisedë përmes aplikacionit Viber, me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun, më datën 18 shtator të vitit të kaluar, të cilën Lladrovci e ka pyetur se a është vepër penale incizimi i paautorizuar i një bisede.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 
 

Ismaili paraqet planet për Kolovicën

1 muaj më parë / 1 tet 2025 11:40
Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sonte do të mbajë tubimin e radhës në lagjen Kolovicë, ku pritet të prezantojë pesë zgjidhjet e tij për një Prishtinë funksionale dhe projektet konkrete për këtë lagje. Takimi do të mbahet në “Shkollën e Gjelbër” duke filluar nga ora 19:00, ku Ismaili ka ftuar qytetarët e zonës t’i bashkohen.

Ai ka theksuar se Kolovica është një nga lagjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të kryeqytetit, por që për vite me radhë është lënë pas dore nga pushteti lokal. “Kolovica është lagje e madhe dhe e rëndësishme që meriton kujdes, jo lagje që duhet të lihet në harresë,” ka deklaruar Ismaili në paralajmërimin e tij.

Projektet identifikuese të planifikuara të Ismailit për Kolovicën përfshijnë:

Ndërtimin e një çerdheje të re për lagjen;

Qendër komunitare multifunksionale;

Palestër vertikale në tri nivele për sporte të ndryshme;

Legalizimin e pronave dhe hartimin e planit rregullues për lagjen;

Ndriçim të plotë në çdo rrugë dhe hapësirë publike;

Përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe trotuareve;

Terrene sportive dhe hapësira rekreative;

Autobusë modernë me pritore të ndriçuara dhe transport publik të qasshëm nga çdo pjesë e lagjes.

Ky tubim në Kolovicë është pjesë e turit të Uran Ismailit në të gjitha lagjet e fshatrat e Prishtinës, ku po shpalos projektet konkrete të hartuara mbi nevojat e qytetarëve dhe të orientuara drejt një qeverisjeje funksionale e gjithëpërfshirëse.

Osmani: Laborator dhe rëntgen i ri në QMF e “Dardanisë”, shërbime të reja edhe gjatë fundjavës

1 muaj më parë / 1 tet 2025 11:25
Besnik Osmani

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike në Fushë-Kosovë, Besnik Osmani, ka njoftuar se qytetarët tashmë mund të përfitojnë shërbime më cilësore shëndetësore në lagjen “Dardania”.

Sipas Osmanit, laboratori i ri në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) të “Dardanisë” tashmë është në funksion, duke mundësuar kryerjen e analizave laboratorike pranë vendbanimit të qytetarëve, pa nevojën për të shkuar në QKMF-në qendrore.

Po ashtu, siç ka njoftuar ai, ka nisur përdorimi i rëntgenit të ri, që rrit saktësinë e diagnostikimit dhe minimizon ekspozimin ndaj rrezatimeve.

Lajmi më i rëndësishëm, sipas Osmanit, është se nga java e ardhshme do të ofrohen shërbime edhe gjatë fundjavës, duke përfshirë të shtunën, në QMF-në e “Dardanisë”.

Osmani ka theksuar se këto investime synojnë kujdes më të madh dhe shërbime më afër qytetarëve.