Me numërim të sukseseve që, sipas tij, janë arritur në katër vjetët e fundit, kryetari aktual i Rahovecit dhe kandidat i AAK-së, Smajl Latifi, të dielën ka nisur fushatën për të kërkuar një tjetër mandat si kryetar. “Komuna jonë është e para për qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, sipas “Indeksit për Transparencë”. Nga 84 premtime që i kemi dhënë më 2021, 66 i kemi përmbushur, 7 janë drejt përmbushjes së shpejtë dhe 9 janë në proces”, ka thënë Smajl Latifi
Kryetari aktual i Komunës së Rahovecit dhe kandidat i AAK-së, Smajl Latifi, ka nisur fushatën për të kërkuar edhe një mandat tjetër në krye të këtij qyteti. Në ditën e dytë të fushatës, të dielën, ai u është drejtuar qytetarëve me një fjalim, ku ka paraqitur rezultatet e arritura gjatë mandatit aktual si dhe objektivat për mandatin e ardhshëm.
“Kemi zgjedhur që hapjen e fushatës ta bëjmë këtu, te një projekt i madh që do ta ndryshojë pamjen e qytetit tonë dhe do të bëhet vendi ku do të mblidhemi së bashku. Edhe pse ende i papërfunduar, ky projekt është dëshmi e përkushtimit tonë – dhe ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund”, ka thënë Latifi.
Latifi ka thënë se qeverisja në krye me të ka qenë model për komunat e tjera.
“Komuna jonë është e para për qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, sipas “Indeksit për Transparencë”. Nga 84 premtime që i kemi dhënë në vitin 2021, 66 i kemi përmbushur plotësisht, 7 janë drejt përmbushjes së shpejtë dhe 9 janë në proces. Këto janë dëshmi konkrete se puna jonë nuk ndalet”, ka thënë Latifi.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimet ndërkombëtare si faktor kyç në zhvillimin e komunës.
“Kemi zhvilluar projekte me partnerë ndërkombëtarë si Qeverisja e Pronës USA dhe kemi bashkëpunuar me Republikën e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi marrë grante për performancë të lartë – dëshmi e përkushtimit tonë”, ka thënë ai.
Latifi ka folur edhe për fushën e administratës publike ku ka theksuar, sipas tij, modernizimin dhe efikasitetin e rritur.
“Kemi investuar mbi 200 mijë euro për përmirësimin e shërbimeve dhe furnizim me teknologji informative. Nga viti 2021 deri në gusht 2025, kemi trajtuar mijëra kërkesa të qytetarëve – 35 mijë vetëm në 2021 dhe mbi 53 mijë në vitin 2025”, tha Latifi. “Do t’i digjitalizojmë plotësisht të gjitha shërbimet administrative, duke mundësuar aplikime online për leje ndërtimore dhe dokumente të tjera. Do të zgjerojmë hapësirat fizike për të ofruar shërbime më efikase për qytetarët”.
E në arsim ka përmendur investimet në shkolla, laboratorët dhe mbështetje për nxënës.
“Kemi investuar mbi 1 milion euro në më shumë se 10 shkolla. Kemi rinovuar objekte shkollore, pajisur laboratorë dhe kabinetet dhe kemi ndërtuar shkolla të reja në Ratkoc dhe Krushë të Madhe. Në katër vjet kemi ndarë mbi 400 mijë euro në bursa për më shumë se 1.000 studentë dhe nxënës”.
Sipas Latifit, infrastruktura dhe urbanizmi mbeten ndër prioritetet kryesore. Ka numëruar disa punë të kryera në mandatin e fundit.
“Kemi asfaltuar 46.8 kilometra rrugë dhe ndërtuar 31 rrugë me kupëza. Kemi ndërtuar 40 kilometra kanalizim, 15 kilometra trotuare dhe kemi zgjeruar ndriçimin publik. Ndërtuam parqe në 11 lokalitete dhe rregulluam përroskat me mbi 266 mijë euro”, tha ai.
Latifi tha se investimet në mbrojtjen e mjedisit kanë qenë të konsiderueshme, duke filluar nga investimet që ai i ka bërë në shtratin e Rimnikut në Fortesë ku, sipas tij, ka kushtuar me mbi 900 mijë euro. Latifi përmendi edhe zonat që kanë krijuar për mbeturina legale ku vlera e tyre, sipas tij, arrin me mbi 30 milionë euro investime në këtë sektor.
Po ashtu ka thënë se fermerëve u është ofruar mbështetje për ndërtimin e 499 serrave me sipërfaqe të përgjithshme mbi 70 hektarë.
Latifi foli edhe për projektet që janë në zhvillim dhe për ato që pritet të nisin së shpejti.
“Aktualisht është në ndërtim rrjeti i ujësjellësit dhe rruga Rahovec–Sarosh. Po ndërtohen banesa për të moshuarit. Stadiumi i qytetit do të fillojë sapo të përfundojnë procedurat. Unë personalisht po angazhohem që të mos lejojmë zvarritje si në rastin e palestrës sportive”, ka thënë Latifi.