Zgjedhjet lokale

Berisha premton pesë fabrika në Prishtinë e zonë industriale në Kodër të Trimave

Bekë Berisha

Zhvillimin ekonomik të kryeqytetit e ka premtuar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar komune në Prishtinë, Bekë Berisha.

Po qe se e siguron mandatin në zgjedhjet e 12 tetorit, ai është zotuar që t’i hapë pesë fabrika për riciklim e përpunimin e drurit dhe ushqimit, si dhe të krijojë zonë industriale për 100 biznese në Kodrën e Trimave.

“A po duam  zhvillim ekonomik? Kemi me i hap 5 fabrika nga riciklimi, druri e deri të ushqimi. Kemi me e bo zonën industriale për 100 biznese në Kodrën e Trimave. Kemi me subvencionu 50 serra dhe 30 ferma. Kemi me bo një fond subvencionimi prej 2 milionë për të rinjtë. Kemi me i ndërtu 7 tregje të reja dhe kemi me i ndërtu tregjet ekzistuese. Do të bëjmë një Prishtinë që punon”, tha Berisha.

Kandidat për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, u zotua që ta vërë sportin në shërbim të edukimit, të mirëqenies dhe të barazisë për fëmijët. Në këtë synim, ai premtoi që të sigurojë hapësira sportive për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.

E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat në këtë detyrë, ka premtuar se në qeverisjen e tij të ardhshme, prioritet do të jetë Krusha e Madhe.
“Krusha është simbol i dhimbjes, sakrificës, i flijimit, i punës, i atdhe dashurisë por është edhe tema më e madhe që unë kam axhënden time dhe e kam pasur edhe në të kaluarën. Krusha e madhe ka edhe një vulë të zhvillimit me tendencë të fuqizimit të përhapjes, këtë shtrirjes, të rritjes, të konsolidimit në sektorin e përpunimit dhe prodhimet krushiane të cilat bëhen nga duart e arta të fermerëve tanë, ne do ti përkrahim”, tha Latifi.

Labinot Bislimi, që është kandidat për kryetar në Viti, është zotuar se në qeverisjen e tij do të jetë afër çdo biznesi e qytetari të komunës.

“Me ju, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo ditë pune. Me ju, në përpjekje, në ndryshim, e deri në fitore e më tej”, tha Bislimi.

E Faton Jakupi, i cili kandidon për kryetar komune në Kamenicë, ka premtuar furnizim të rregullt me barna për pensionistë dhe për përgjigje të shpejtë në kërkesat për rinovimin e objektit të pensionistëve.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 22-të e fushatës