Zgjedhjet lokale

Krasniqi premton punësim për mjekët në Prizren, Berisha i quan të rrejshme sondazhet në Prishtinë

Bekë Berisha

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka premtuar se nëse zgjidhet, do të angazhohet që asnjë mjek apo infermier i ri të mos mbetet pa punë. Në Prishtinë, Bekë Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në votime të dielën, ndërsa në Pejë, kandidati i Aleancës ka vazhduar me premtime për projekte të reja. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thurur lëvdata për kandidatin e Junikut, Agron Kuçi, duke e vlerësuar si shembull suksesi dhe njeri që e ka ngritur Junikun nga zero

Dy ditë para zgjedhjeve të 12 tetorit, kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vijuar fushatën me zotime të reja e me thirrje për përkrahje. Në Prizren, Besnik Krasniqi ka premtuar që asnjë profesionist shëndetësor në këtë komunë nuk do të mbetet pa punë.

“Si kryetar i ardhshëm i komunës do të sigurohem që asnjë mjek dhe asnjë infermier në komunën tonë të mos mbetet pa punë. Këtë do ta bëjmë me partnerët tanë, qoftë ndërkombëtarë, qoftë vendorë, duke i rritur subvencionet për punësimin e të rinjve dhe të rejave tona që kanë diplomuar në sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Krasniqi.

Në Prishtinë, kandidati Bekë Berisha u ka kërkuar qytetarëve ta votojnë të dielën, duke thënë se që nga e hëna do të nisë realizimi i projekteve të cilat sipas tij, kanë mbetur në gjysmë prej më shumë se një dekade.

“Qytetarë të Prishtinës, ju falënderoj shumë për të gjitha takimet edhe për krejt konsultat, për të gjitha ato që i kemi bërë bashkë. Tash ju ftoj me dalë me ma qit votën. Mos i shikoni sondazhet e rrejshme, po veç çohemi të dielën, votojmë. Të hënën fillojmë punën, i realizojmë ato që nuk janë realizuar për 12 vjet në Prishtinë”, ka thënë Berisha.

Në Pejë, kandidati për kryetar Ali Berisha, është zotuar për legalizimin e mbi dhjetë mijë pronave, me taksa më të ulëta.

“Shumë shtëpi të Kapishnicës edhe Zatrave nuk janë të legalizuara. Shumë shtëpi kanë probleme, qoftë me vlerësimin e vlerës së shtëpive të tyre, për shkak të pamundësisë për legalizim. Kemi me kriju mekanizma në komunë, ekipe të veçanta që bashkë me pronarët e shtëpive do të krijojnë dokumentacionin. Kemi me kriju lehtësira dhe taksat për legalizim do të jenë shumë më të lira. Ne besojmë shumë se në dy vitet e para do t’i legalizojmë të gjitha këto 10 mijë prona në komunën e Pejës që janë të palegalizuara, dhe do t’u mundësojmë shumë shtëpive në këtë pjesë të legalizohen, të vlerësohet pasuria e tyre dhe të kenë mundësi ta shfrytëzojnë më mirë atë pasuri”, ka premtuar Berisha.

E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj të premten ka thurur lëvdata për kandidatin për kryetar të Junikut, Agron Kuçin.  

“Juniku, vend i bekuar me bukuri natyrore dhe histori të lavdishme, sonte tregoi se ka vendosur për rikthimin e Aleancës dhe për vazhdimin e zhvillimit pas 12 tetorit. Junikasit kanë zgjedhur numrin 174, për rikthimin e qeverisjes zhvillimore dhe për projektet që e çojnë Junikun përpara. Gjatë qeverisjes sonë nisëm punët që sollën ndryshim të vërtetë, nga rruga Junik–Gjeravicë, tek kanalet e ujitjes, shkolla e re dhe infrastruktura që i dha jetë komunës së re. Agron Kuçi, si kryetar, kishte misionin më të vështirë, por e kreu me dinjitet, e ngriti Junikun nga zero dhe e ktheu në shembull suksesi për gjithë Kosovën. Sot, bashkë me ekipin e Aleancës, ai është gati për ta çuar Junikun drejt zhvillimit të mëtejshëm”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Në Deçan, kandidati Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur nisjen e një projekti për vendosjen dhe mirëmbajtjen e tabelave informuese me emrat e fshatrave dhe rrugëve.

“Sot ka filluar implementimi i projektit “Vendosja dhe mirëmbajtja e tabelave informuese, emërtimet e fshatrave dhe rrugëve”. Ky është një hap i rëndësishëm për orientimin më të lehtë të qytetarëve dhe vizitorëve, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës komunale në përgjithësi. Falë këtij projekti, çdo rrugë dhe fshat i komunës sonë do të ketë identitet të qartë dhe standard të njëjtë informues”, ka thënë Ramosaj.

Ardian Gjini, nga kjo parti ka bërë të ditur se ka filluar faza e fundit e punimeve në kuadër të projektit “Koncepti i tre lumenjve”.

Gjini të premten ka vizituar segmentin e fundit pranë Urës së Taliqit, ku ka parë nga afër zhvillimin e punimeve. Ai ka theksuar se projekti, me vlerë rreth 1.5 milion euro, do ta shndërrojë këtë zonë në një hapësirë moderne, atraktive dhe tërësisht funksionale për qytetarët e Gjakovës.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e 28-të e fushatës