Kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës fushatën e kanë vazhduar me premtime për projekte të reja, duke kërkuar besimin e qytetarëve. E në komunat ku kjo parti udhëheq pushtetin lokal, kandidatët e saj kanë prezantuar rezultatet e arritura gjatë katër vjetëve të fundit.
Në Suharekë, Bali Muharremaj, i cili synon edhe një mandat tjetër, ka publikuar në rrjetet sociale punët që, sipas tij, janë kryer gjatë katër vjetëve të qeverisjes së tij.
Në Istog kandidati për kryetar, Ukë Blakaj, ka zhvilluar takime me të rinjtë, duke thënë se takimet me ta janë frymëzuese. Kandidati për kryetar të Vitisë, Labinot Bislimi, ka akuzuar qeverisjen aktuale për keqmenaxhim dhe mungesë të kujdesit ndaj fëmijëve.
Ndërsa në Prizren kandidati Besnik Krasniqi është zotuar se nëse merr besimin e qytetarëve do ta ndërtojë nënkalimin në rrugën “Tirana” që, sipas tij, do ta zgjidhte çështjen e komunikacionit në qytet.
Në Pejë, Ali Berisha, i cili synon rikthimin në krye të komunës, ka akuzuar qeverisjen e Gazmend Muhaxherit për abuzim me pronat komunale.
“Nënkalimi i ndërtuar që nga koha e Jugosllavisë ka pasur për qëllim lidhjen e zonës industriale të vjetër me pjesën tjetër të qytetit. Për këtë vizion dhe këtë koncept, ne kemi bërë zgjedhjen e duhur për të lidhur rrugën ‘Tirana’ me pjesën tjetër të qytetit, duke e shkarkuar tërësisht komunikacionin dhe duke ofruar një zgjidhje ideale për këtë zonë”, ka thënë kandidati për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi.
“Çështja kryesore me të cilën është marrë Komuna e Pejës dhe udhëheqësit e saj kanë qenë tregtia dhe ndërrimi i pronave. A e dini kush ka përfituar nga gjithë ajo tregti? Jo komuna, por ata që e udhëheqin dhe njerëzit afër tyre. Komuna ka përfituar më së paku. Kësaj metode dhe këtij keqmenaxhimi do t’u vijë fundi më 12 tetor”, ka premtuar Ali Berisha, kandidat për kryetar në Komunën e Pejës.