Zgjedhjet lokale

Kurti: Me Fatonin kryetar të Mitrovicës, e keni të garantuar se do të ketë veçse bashkim, e kurrsesi ndarje

Faton Peci

Në ditën e fundit të fushatës për balotazhin, Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar aktivitet elektoral edhe në Mitrovicë. Aty, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, tha se me Faton Pecin kryetar të Mitrovicës, është e garantuar se do të ketë veçse bashkim, e kurrsesi ndarje.

Për një kryeqytet të bashkuar dhe pa inate ka bërë thirrje në ditën e fundit të fushatës elektorale kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrullah Çeku.

Ai të shtunën kërkoi mbështetjen e qytetarëve për një Prishtinë pa ndasi.

“Hajde ta bëjmë Prishtinën. Është në dorën tonë. Është në zemrat tona. T’I lëmë anash ndasitë. Edhe inatet. Edhe fjalët që na lodhin. Bashkohemi për qytetin tonë. Për lagjet ku fëmijët rriten me siguri dhe dashuri. Për rrugët ku shohim shpresë, jo zhgënjim. Prishtina është e jona. E krejtve. E bashkuar ajo mund të bëhet më shumë se kryeqytet. Mund të bëhet shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Çeku.

Fushatës së kandidatit për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i është bashkëngjitur edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Aty u zotua për realizimin e Digës së Firajës, për ujësjellësin e qytetit dhe ndërtimin e hekurudhës që do ta lidhë Gjilanin me Prizrenin, Ferizajn dhe Bujanocin.

Kurti gjatë ditës ofroi përkrahje edhe kandidatit për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli.

Të dy premtuan funksionalizimin e Zonës Ekonomike në Lumbardh, si dhe ndërtimin e një rrethrrotullimi në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Takimin përmbyllës, Vetëvendosja e ka organizuar edhe në Mitrovicë të Jugut.

Aty Kurti tha se dyert e qeverisë për kandidatin për kryetar, Faton Peci, do të jenë të hapura për secilin projekt.

"Me Fatonin kryetar të Mitrovicës, me Glaukun, Donikën, mua dhe të gjithë që jemi bashkë këtu rreth Fatonit, e keni të garantuar se do të ketë veçse bashkim, e kurrsesi ndarje 100 për qind, 105 për qind, 105 për qind", deklaroi Kurti.

Edhe kandidati Peci e vuri fokusin te veriu.

"Është e vërtetë që ky shekull është i shqiptarëve sepse pas sakrificës së luftës së shenjtë çlirimtare dhe lirinë që e arritëm deri në urën e Ibrit, prej vitit 2021, sot frymon ndryshe veriu dhe Mitrovica për shkak se në krye të qeverisë së Republikës së Kosovës është figura dhe personaliteti me besimin më të madh në histori të Republikës së Kosovës, që e ka çliru 17 për qind të territorit të Republikës së Kosovës me një hero", ka thënë Peci.

Në ditën e fundit të fushatës, me një video-adresim është drejtuar edhe kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, i cili ka kërkuar votën e qytetarëve për ndryshimin e qytetit.

Për ndryshime dhe zhvillim të Fushë Kosovës, ka kërkuar mbështetje edhe kandidati për kryetar të kësaj komune, Valon Prebreza.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e gjashtë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale