Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka kërkuar votën e minatorëve për kandidatin e partisë së tij për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.
Në një takim me ta, Kurti tha se Peci do të realizojë projekte edhe përtej premtimeve.
“Më duhet me kërku diçka prej jush. Duhet t’i keni pritjet edhe më të larta sepse ky i tejkalon zotimet e veta. Pra dijeni që çka premton Fatoni boll mirë është, por çka realizon Fatoni është hala më mirë”, tha Kurti.
Kandidati për Mitrovicën u zotua për kujdes shëndetësor për minatorët, qendër të kujdesit ditor dhe kujdes për të pensionuarit.
E, Kurti tha se do të kryhen edhe punë të tjera.
“Për Faton Pecin unë them që, ky edhe llugat i bën ara”.
E në jug të Kosovës, kandidati për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, u zotua për investime në infrastrukturë edukative e arsimore.
“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja publike aty ku mungesa është më e madhe dhe do të mbështesim familjet me të ardhura të ulëta që fëmijët e tyre të kenë qasje të barabartë. Në çdo çerdhe, në çdo shkollë do të sigurojmë ushqim të shëndetshëm, kushte higjienike dhe mbikëqyrje transparente. Në shkolla do të sjellim arsim gjithditor, laborator modern dhe programe inovative”, tha Abrashi.
Në Malishevë kandidati për kryetar Valon Hoti premtoi se do të angazhohet për ta bërë këtë komunë qendër të turizmit natyror, kulturor e sportiv.
Ai u zotua për ndërtimin e një muzeu në Pagarushë për ta përjetësuar trashëgiminë e Nexhmije Pagarushës dhe për realizim të projekteve të tjera.
“Ujëvarat e Mirushës një prej mrekullive më të mëdha natyrore të Kosovës do të shndërrohen në destinacion turistik të organizuar. Shpellat e Malishevës do të promovohen e mbrohen si pasuri të rralla. Do të ndërtojmë pishinën gjysmë olimpike në banjë duke hapur rrugë për sport e turizëm shëndetësor. Do të zhvillojmë Via Ferrata”, tha Hoti. .
Ndërsa në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku ka premtuar mbështetje për bizneset, gratë ndërmarrëse e sportistët.
