Gara për kryeqytetin ishte nga më të ngushtat që kur Kosova organizon zgjedhje në nivel lokal. Balotazhi konfirmoi rritjen e votës tek të dy kandidatët, por që përparim Rama fitoi me diferencë prej rreth 3 mijë votash. PDK-ja që doli e treta në rundin e parë, nuk deklaroi publikisht përkrahje për njërin nga kandidatët, megjithëse negociatat në prapaskenë nuk munguan. E AAK-ja u rreshtua me LDK-në
Në Prishtinë, gara për kryetar komune u shndërrua në njërën nga më të ngushtat në zgjedhjet lokale të këtij viti. Rundi i parë i mbajtur më 12 tetor dëshmoi përballje me rezultat të ngushtë mes Përparim Ramës të Lidhjes Demokratike dhe Hajrulla Çekut të Lëvizjes Vetëvendosje – me një diferencë prej disa qindra votash.
Rama, që kërkonte një mandat të dytë në krye të kryeqytetit, arriti të grumbullojë rreth 35,595 vota, ose 33.7 për qind të elektoratit. Çeku, kandidati i Vetëvendosjes dhe ish-ministër i Kulturës, iu afrua me 35 mijë e 77 vota, apo 33.2 për qind. Meqë asnjëri nuk kaloi pragun e 50 përqindëshit, gara për Prishtinën kaloi në balotazh – një epilog që pritej me shumë interes, pasi kryeqyteti shihej si simbol politik për dy subjektet e vetme që kanë qeverisur më të deri tash, LDK-në e Lëvizjen Vetëvendosje.
PDK-ja që doli e treta në rundin e parë nuk deklaroi publikisht përkrahje për njërin nga kandidatët, megjithëse negociatat në prapaskenë nuk munguan.
PDK-ja, që në raundin e parë mori mbi 27 për qind të votave, u pa si faktori më i rëndësishëm i balotazhit për përcaktim të fituesit.
E AAK-ja me forcë përfaqësuese prej rreth 9 për qind në asamble komunale, u rreshtua me LDK-në.
Balotazhi konfirmoi rritjen e votës tek të dy kandidatët, por që Rama fitoi me një diferencë prej rreth 3 mijë votash.
Rama, në tubimin festiv pas balotazhit të 9 nëntorit, ka thënë se qytetarët e Prishtinës edhe një herë treguan se duan zhvillimin e jo bllokimin.
“Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama.
Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka uruar Përparim Ramën për fitoren, e për Prishtinën ka uruar që “të dalë nga kaosi në të cilin është futur”.
“Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka thënë Çeku.
Në garën e balotazhit, Rama siguroi 51,54 për qind apo 46 mijë e 935 vota, kurse Çeku 48,46 për qind apo 44 mijë e 126 vota.