Zgjedhjet lokale

PDK-ja ende s’ka vendosur a do ta mbështesë Ramën apo Çekun

Rama-Ceku-Ismaili

Foto-ilustrim: KOHA

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se cilin kandidat do ta përkrahë në garën për kryetar të Prishtinës më 9 nëntor.

Në balotazhin për kryetar të kryeqytetit janë Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje.

Burime brenda kësaj partie i kanë thënë KOHËS se nuk ka asnjë vendim për përkrahje as të Ramës e as të Çekut. “PDK në këtë pikë nuk është e ndarë e të tjerat janë spekulime”, kanë thënë në PDK.

Në raundin e parë të zgjedhjeve Uran Ismaili i PDK-së doli i treti me 29 mijë e 91 vota apo 27.65 për qind. I pari doli Rama i LDK-së me 33.71 për qind apo 35 mijë e 465 vota, rreth 500 më shumë se Çeku që mori 33.22 për qind.