U rizgjodh kryetar i Prishtinës edhe për një mandat. Përparim Rama, në zgjedhjet e balotazhit la pas kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, me një diferencë prej 2 mijë votash.
Në tubimin festiv të LDK-së në kryeqytet menjëherë pasi u mbyllën vendvotimet, Rama deklaroi se qytetarët e Prishtinës edhe njëherë dëshmuan se e duan zhvillimin e jo bllokimin. Me këtë rast ai premtoi zgjerim të shesheve edhe më tutje.
Në anën tjetër, Çeku përmes një postimi në Facebook, ia uroi fitoren Ramës duke uruar që kryeqyteti të dalë nga kaosi në të cilin është futur.
Pas zgjedhjeve, tashmë Prishtina është në pritje të certifikimit të listës së kandidatëve fitues të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga KQZ-ja. Menjëherë pas kësaj procedure Ministria e Pushtetit Lokal do të japë udhëzime se si duhet të veprojë komuna e Prishtinës për të konstatuar Kuvendin, e që funksional bëhet menjëherë pas betimit të asamblistëve në mbledhjen e parë.
Bekim Salihu nga GAP thotë se menjëherë pas kësaj mund të thirret kryetari për dhënien e betimit të tij e që kjo do të thotë edhe fillimi i mandatit të tij. Në mënyrë që të ketë shumicën në Kuvend, Salihu thotë se Rama i ka dy mundësi koalicionesh.
“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dy mundësi. Të shkojë në koalicion të gjerë ose të shkojë me vetëm një koalicion. Për shkak se Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka 51 ulëse për të përbërë shumicën kërkohen 26. LDK i ka 15 ulëse, VV e PDK i kanë nga 12 ulëse. AAK i ka 5 ulëse, Lidhja për Prishtinën i ka 4 ulëse ndërkaq tre partitë e vogla i kanë 3 ulëse çka nënkupton se për ta përbërë shumicën në Kuvendin Komunal LDK ose duhet të shkojë me AAK, Fehmi Kupinën dhe tre partitë e tjera të vogla që prapë ose duhet të shkojë me VV apo PDK në koalicion për ta bërë shumicën. Gjasat që të shkojë me Vetëvendosjen janë shumë të vogla apo fare. Po ashtu që gjasat që Fehmi Kupina t’i bashkëngjitet LDK nuk janë të mëdha. E vetmja mundësi është që të shkojë me PDK-në që i kanë 27 numra në Kuvendin Komunal dhe kjo pastaj nënkupton një qeverisje stabile e të qëndrueshme në Kuvendin Komunal. Unë nuk do të dëshiroja që t’i dëshiroja asnjë kryetari të ushtrojë funksionin e tij pa shumicë sepse është parë rasti i Prishtinës, i Gjilani e Zubin-Potokut çfarë bllokada sjell mungesa e shumicës së vendit”, ka thënë ai.
Salihu ka shtuar se koalicione parazgjedhore jo domosdo do të jenë edhe koalicione të Kuvendit Komunal.
I kontaktuar nga KOHA, Fehmi Kupina nga Lidhja për Prishtinën që do të ketë katër ulëse në Kuvendin ka thënë se nuk ka vija të kuqe për koalicione.
“Lidhja për Prishtinën rrjedh nga qytetarët. Për mua të gjitha partitë janë njësoj dhe nuk kam vija të kuqe. Megjithatë ende s’ka ardhur koha për koalicion”, ka thënë ai.
Edhe gazetari i Prishtinës, Mentor Buzhala, ka thënë se gjasat janë që LDK të qeverisë bashkë me PDK e AAK. Sipas tij, Rama është i interesuar që në mbledhjen e parë të paraqesë kabinetin e tij të përbërë nga LDK, PDK, AAK e NISMA. Një shumicë e tillë do të mundësojë që Rama të kalojë më lehtë projektet dhe buxhetin.
“Dihet se mbledhja e Kuvendit Komunal do të mbahet menjëherë pas certifikimit pasi Rama është i interesuar ta kalojë buxhetin menjëherë. Por sa kam informacione këtu mund të mos pajtohet PDK që të mos paraqitet kabineti qeveritar ku në përbërje janë edhe ata pasi zgjedhje nacionale janë afër dhe pastaj PDK është e interesuar të shkojë veç vetë”, ka thënë ai.
Nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë.
Ndryshe, për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kuvende komunale, KQZ do të presë përfundimin apo shqyrtimin e ankesave nga PZAP dhe pastaj edhe Gjykatën Supreme në rast se palët eventualisht vazhdojnë ankimimin në Gjykatën Supreme.