Arbëri

Rama: Nuk e synoj drejtimin e LDK-së

Përparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është i befasuar nga rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, por ka theksuar se fokusi i tij mbetet kryeqyteti dhe transformimi i tij. Rama ka mohuar se ka ndonjë interes për të drejtuar LDK-në, duke shtuar se partia ka njerëz të cilët mund ta kryejnë këtë detyrë nëse kryetari aktual vendos të largohet.

“Nuk është e vërtetë, unë jam kryetar i kryeqytetit e kam një mandat katërvjeçar, ky është fokusi im, të transformoj kryeqytetin… Dashnia ime është që t'iu ndihmoj të gjithë qytetarëve të kryeqytetit përtej ngjyrosjeve partiake dhe normal që do t'i ndihmoj kushdo që ka nevojë për ndihmë”, ka thënë ai.

Rama ka treguar se ka pasur raporte të mira me lidershipin aktual të LDK-së dhe ka ndihmuar partinë gjatë zgjedhjeve lokale dhe ato nacionale, edhe pse nuk është anëtar i saj. “Kam raporte të mira me të gjithë sepse Lidhja Demokratike më ka ndihmuar gjatë procesit të zgjedhjeve lokale. Unë po ashtu i kam ndihmuar edhe në shkurt edhe tash Lidhjes Demokratike… kemi punuar mirë për të çuar proceset e kryeqytetit përpara”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi dhe një qeverisje që nuk është bllokuese janë të rëndësishme. “Të njëjtën kohë po them edhe unë… është një bashkëpunim i mirëfilltë, i shëndoshë ku edhe Lidhja Demokratike mendon përtej partisë… për të ngritur vlerat tona të përbashkëta për vendin tonë”, ka shtuar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka uruar që qeverisja e re të jetë bashkëpunuese dhe jo sabotuese. Ai ka theksuar se partitë opozitare duhet të reflektojnë mbi rezultatet e tyre dhe të kenë një program që u mundëson ringritjen dhe një opozitë të fortë, pasi sipas tij, pozita me një opozitë të fortë e çon vendin përpara më mirë e më shpejt.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, me 49.34 përqind apo 433 mijë e 394 vota