Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani, ka thënë se nga ministritë, vetëm ajo e Brendshme, ka kryer punët e saj në këtë komunë.
Osmani, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Mitrovica”, ka deklaruar se kësaj komune dhe shqiptarëve në këtë pjesë u duhen shumë shërbime, që aktualisht nuk i kanë.
Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, ai ka numëruar disa prej tyre.
“Qeveritë tona i kanë 16-17 ministri. Ministria e Punëve të Brendshme e ka kryer punën e vet. Por në veriun e Kosovës, sidomos në veriun e Mitrovicës, na duhet Ministria e Kulturës që nuk ka investuar. Neve na duhet Ministria e Arsimit. Tash e 26 vjet e kemi një shkollë në Mitrovicën e Veriut, që edhe ajo është kontejner. Neve na duhet Ministria e Shëndetësisë, pasi tash me shku në Kodrën e Minatorëve, ekziston një ambulantë ku qe 6 muaj nuk ka shkuar mjeku aty”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, për mungesë të këtyre shërbimeve, 70 për qind e shqiptarëve të kësaj pjese nuk jetojnë në Mitovicë të Veriut.
Ai ka folur edhe për njësitë banesore të liruara dhe për shtëpitë e rindërtuara.
Janë 120 njësi banesore dhe 40 shtëpi, por sipas tij, pak prej tyre janë të banueshme.
“Këto banesa, 120 sa janë liruar, nuk besoj se mund ta keni parasysh sa të dëmtuara janë. Për me i rregullu ato, për t'i bërë ato të banueshme është një kosto, që i kushton secilës familje. Ti tash me i investu 20-30 mijë euro, në një pronë që nuk ke mujt me shfrytëzu për 26 vjet, është kosto. Te shtëpitë e rindërtuara, një pjesë e familjeve janë kthyer, sidomos në ato vende ku ka infrastrukturë, si lagjja e Boshnjakëve, janë 3-4 familje. Te Kroi i Vitakut janë ndërtuar diku 8 shtëpi, prej tyre shtatë nuk i plotësojnë kushtet. Ka prej tyre që kanë probleme me ujë, me kanalizim, ka që nuk kanë qasje në rrugë kryesore”, ka thënë Osmani.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.