Asamblisti në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë strategji më të qartë për veriun. Sipas tij, institucionet qendrore duhet të mendojnë që në çdo komunë të veriut të ketë nga një zyrë të ministrive.
Siç thotë asamblisti, kjo do të ndikonte në integrimin e komunitetit serb.
“Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës ta kishte një strategji dhe çdo qytet i veriut të kishte minimumi nga një zyrë nga këto ministri, ku do t’iu ofrohej qytetarëve qasje më e lehtë në buxhetin e Kosovës dhe do të integroheshin më shumë qytetarët e kësaj ane”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Planin për ndërtimin e dy urave të reja, Osmani e cilësoi si të nxitur nga ngecja në hapjen e urës kryesore mbi Ibër.
“Nuk është dashur të kalojë në Kuvend Komunal. Është një lloj emergjence. Pas le të themi një dështimi për ta hapur urën kryesore, institucionet qendrore kanë vendosur ta ndërtojnë një urë sepse ura tjetër ka qenë në projektin për rregullimin e shtatit të lumit Ibër dhe ajo është dekoruese për qytetarët e dy Mitrovicave. Projekti ka qenë gati qe 15 vjet. Vetëm kjo ura afër Urës së Ibrit është risi”, u shpreh Osmani.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të jenë më të pranishme në veri dhe të ofrojnë më shumë mbështetje konkrete.
“E kemi lut BE-në, institucionet tona, ta frekuentojnë më shpesh veriun. Veriu ka nevojë për investime që i kanë munguar qe 26 vjet. Kur qytetarët e kësaj ane nuk shohin seriozitet nga Qeveria, e serioziteti tregohet me investime, atëherë ngurrojnë të integrohen në shoqërinë kosovare sepse nuk besojnë që institucionet tona e kanë seriozisht këtë qasje që e kanë ofruar tash e dy vjet”, deklaroi Osmani.