Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i urave të reja është në funksion të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se mungesa e urave krijon tensione. Këtë deklaratë ai e bëri të shtunën pasdite pas vendosjes së gurthemeleve për dy ura të reja mbi lumin Ibër, në veri të vendit.
“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të tregojnë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime”, ka thënë Kurti, duke shtuar se “urat nuk janë kundër askujt, janë për të gjithë qytetarët, për shqiptarët, serbët, boshnjakët, romët e të tjerët”.
Ai theksoi se ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjin, duke iu përgjigjur edhe paralajmërimit të një dite më parë nga Bashkimi Evropian, i cili i kishte kërkuar autoriteteve të Kosovës të përmbahen nga “veprime të njëanshme”, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse.
Kurti bëri të ditur se njëra nga urat e reja do të ketë gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, me trotuare nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 37 metra e gjerë. Njëra do të shërbejë për automjete dhe këmbësorë, e tjetra vetëm për këmbësorë.
Kurti bëri të ditur se me këto dy ura të reja, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të shkojë në 37, “ndërsa në të gjithë lumin, që kalon nëpër Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, janë gjithsej 77 ura”.
Ai falënderoi kryetarët e të dy komunave për bashkëpunimin, si dhe Ministrinë për realizimin e këtij projekti që pritet të përfundojë në vjeshtë, me një kosto prej afro 3 milionë euro.
Duke folur edhe për urën kryesore mbi Ibër, që aktualisht është e mbyllur për qarkullim të veturave dhe e monitoruar nga karabinierët italianë, Kurti ka thënë se ajo duhet të hapet sa më parë.
“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Sa më parë të hapet, më e arsyeshme. E kur hapet është edhe në dorën e karabinierëve italianë. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshire edhe karabinierët italianë prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne, që ura ka nevojë të hapet për qarkullim edhe të veturave”, theksoi ai.
“Të jeni të sigurt, me dy ura më tepër në lumin Ibër do të jetë vetëm më mirë”, e përmbylli fjalimin e tij Kurti.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se më së largu në tetor do të përfundojnë punimet – një muaj më vonë sesa e tha Kurti. E më optimist u shfaq ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se punimet do të përfundojnë në fillim të shtatorit.
