Arbëri

Vendoset gurthemeli i dy urave të reja mbi Ibër

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 17:11) - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën pasdite ka qenë i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian. Ai ka qenë i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, deputetët Armend Muja e Faton Peci e kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Kurti ka vendosur gurthemelet për urat mbi Ibër, njëra prej tyre që do të shërbejë për kalim të veturave dhe tjetra për kalim të këmbësorëve. 

Lajmi në përditësim...


Sot vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi Ibër

(10:59) - Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se të martën, 1 korrik, do të vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur për agjendën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aty u bë e ditur se në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrin pjesë sot në vendosjen e gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin i Ibër në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut”, thuhet në njoftim.


Agjenda:

Aktivitetet:

1. Vendosja e gurthemelit të urës për kalim të veturave mbi lumin Ibër

KOHA: 17:00

VENDI: Në afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Mitrovicë e veriut

2. Ecje e përbashkët drejt vendosjes së gurthemelit të urës për kalim të këmbësorëve mbi lumin Ibër

KOHA: 17.15

3. Vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër

KOHA: 17:30

VENDI: Përballë kopshtit të fëmijëve "Gëzimi ynë", Mitrovicë e jugut

Pas vendosjes së gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve do të ketë prononcim të përbashkët për media


Vetëm një ditë më parë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “që të përmbahen nga ndonjë veprim i njëanshëm, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse”. Ky reagim erdhi në përgjigjen që BE-ja ia dha KOHËS lidhur me testimet e kryera në urën kryesore mbi lumin Ibër. BE-ja konfirmoi se ajo ka bërë vlerësimin e saj dhe zonës dhe se për këtë kanë qenë të njoftuara autoritetet e Kosovës. Megjithatë, u tha se testimet s’janë sinjal për ndryshim në status quon e kësaj ure.

Ditë më parë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura. Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. E fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.

Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.