Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Familjeve shqiptare nuk u lejohet shfrytëzimi i pronave të tyre në veri

Familjeve shqiptare nuk u lejohet shfrytëzimi i pronave të tyre në veri

Gjashtë familje shqiptare nuk po mund t’i shfrytëzojnë pronat e tyre në Mitrovicën e Veriut, ku kanë jetuar para dhe gjatë luftës. Thonë se, pavarësisht se janë pronarë të tokave, nuk po u lejohet ndërtimi i shtëpive, me arsyetimin se zona paraqet rrezik

Egzona Mema

Pronat ku i patën shtëpitë e ku i kaluan ditët më të vështira të luftës, tash e 26 vjet nuk po mund t’i shfrytëzojnë.

Gjashtë familjeve të Mitrovicës së Veriut, tokat u kanë mbetur me çfarë u la lufta pas.

Ferdane Maloku, e cila jetoi aty, thotë se e ka vullnetin të rikthehet prapë në vendin e saj, por kjo po u pamundësohet nga kryetari i Komunës Veriore.

Maloku thotë se tash e 3 vjet, ajo paguan tatim për tokën pa e shfrytëzuar.

“Komuna veriore më ka thënë se këtu s’ka gjasa me u ndërtu se është rrezik. Dy ankesa i kam, negative m’i kanë kthyer. I kam thënë edhe komunës gjithë kohën në luftë kam qenë, kur nuk e kam lënë në atë gjendje, unë kthena prapë dhe nuk kam frikë”, ka treguar Maloku.

Ndonëse këtyre banorëve nuk po u lejohet kthimi në pronat e tyre, ngjitur me to, banorëve serbë u është lejuar ndërtimi i shtëpive pas luftës. E shtëpitë e rrënuara të shqiptarëve po shfrytëzohen nga banorët e komuniteteve pakicë.

Besim Azemi, familja e të cilit kishte jetuar në këto toka që nga viti 1954, thotë se, edhe nëse nuk do t’i lejojnë të ndërtojnë, ato assesi nuk do të kalojnë në pronësi të serbëve.

“Për 26 vjet nuk na ka kontaktuar askush. Kemi edhe prona të tjera në veri që kanë mbetur kështu. Në vitin 2007/08, Qeveria e Serbisë ka dhanë pare me thes, ka ardhë shtëpi për shtëpi, ka thanë: “Shitni pronat, sa doni keni pare”, por jo për këtë vend. Është derdhë gjak, Serbia s’ka pare me i ble këto prona”, ka thënë Azemi.

Sipas Azemit, shtëpitë e familjarëve të tij dhe komshinjve përreth u dogjën pas vitit 1999, nga Oliver Ivanoviqi.

Ai tregon se shtëpia ku tash nuk po mund të kthehet, dikur shërbeu për çështje kombëtare.

“Figurat më eminente Latif Berisha, Agim Hajrizi e shumë të tjera, në ato kohë në kohë ilegale që kanë qenë, LDK-ja krejt mbledhjet për çështje të këtij vendi janë mbajtur në këto shtëpia”, ka treguar ai.

Azemi thekson se pas gjithë ankesave që kanë bërë në institucione, familja e tij nuk do të dorëzohet dhe do të bëjë çmos që të rikthehen në tokat ku kaluan një pjesë të jetës.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Qeverinë e Kosovës për të ditur arsyet se përse shqiptarët nuk po lejohen të kthehen në pronat e tyre, mirëpo, asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.