Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me qytetarë në Komunën e Fushë-Kosovës. Bashkë me kandidaten për kryetare nga kjo parti, Vildane Latifin dhe kandidatët për asamble, Haradinaj tha se këtu ku bashkohen qytetarët nga e gjithë Kosova dhe Lugina, ende presin zgjidhje për problemet themelore.
“Në Fushë-Kosovë, aty ku bashkohen qytetarë nga e gjithë Kosova dhe Lugina, mbi 65 mijë banorë presin ende zgjidhje për problemet themelore. Mungesa e hapësirave shkollore, çerdheve dhe infrastrukturës bazë është dëshmi e qartë e një qeverisjeje që ka humbur kontaktin me qytetarin.”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Tutje kreu i AAK-së, Fushë-Kosovën e quajti nyje strategjike për ekonominë dhe zhvillimin e gjithë vendit.
“Vildane Latifi, si kandidate grua, përfaqëson një brez të ri të politikës lokale që sjell përvojë, energji dhe vizion. Ajo njeh nga afër sfidat e qytetit të saj dhe do të jetë kryetare e denjë që i jep Fushë-Kosovës qeverisjen shembullore. Fushë Kosova është një nga nyjet kryesore ekonomike të vendit, një komunë ku takohen njerëz dhe komunitete biznesi nga e gjithë Kosova. Ky potencial i jashtëzakonshëm nuk është shfrytëzuar dhe nuk është parë kurrë siç është në të vërtetë, një nyje strategjike për ekonominë dhe zhvillimin e gjithë vendit.”, shkroi mes tjerash Haradinaj
