Partitë politike në Kosovë kanë hyrë fuqishëm në fazën përgatitore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Edhe pse fushata zyrtarisht nis më 17 dhjetor, subjektet kanë filluar angazhimet në terren dhe komunikimet intensive me elektoratin.
Më aktiv në terren po shfaqet kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Ai ka nisur takime nëpër fshatrat e Kosovës, duke vizituar të hënën Fortesën dhe Xërxën e Rahovecit.
“Sot patëm kënaqësinë të zhvillonim një takim të ngrohtë me banorët e Fortesës, Xërxës dhe rrethinës. Bashkë biseduam për nevojat, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e zonës. Energjia, respekti dhe mikpritja e banorëve na treguan se aty ku bashkohet zemra e njerëzve, ngrihen themelet e së ardhmes”, ka shkruar ai.
AAK kësaj radhe hyn në garë e vetme, pa asnjë koalicion parazgjedhor.
Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shtuar dukshëm aktivitetin publik, kryesisht përmes videomesazheve të publikuara në rrjetet sociale. Ai ka theksuar se Kosovës i duhet stabilitet, jo drama politike.
“I duhet drejtim i qartë, përgjegjësi dhe rezultate konkrete”, ka deklaruar Hamza.
Ai publikoi gjithashtu një letër të dërguar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku i kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë çështje jetike për vendin.
Në anën tjetër, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka postuar kryesisht materiale promovuese të listës zgjedhore dhe numrit të partisë. Ai ka thënë se me këtë listë LDK-ja synon ta rikthejë vendin në normalitet.
“Me këtë listë, Lidhja Demokratike e Kosovës nis rrugëtimin drejt 28 dhjetorit për ta kthyer vendin në normalitet: për t’i rikthyer institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin. Shkojmë drejt fitores me qetësi, dije e përkushtim – me besimin se populli do ta zgjedhë shpresën”, ka shkruar Abdixhiku.
Më pasiv në rrjetet sociale po paraqitet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili deri tani ka publikuar numrin rendor të partisë në fletëvotim, por edhe disa investime që synon t'i bëjë në sport e kulturë në Suharekë, Rahovec, Prizren, Dragash e Mamushë.
Ndërkohë, edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt ka nisur para kohe veprimtaritë elektorale, duke organizuar një tubim në Malishevë.
Përveç kandidatëve për kryeministër, më aktivë po shfaqen edhe kandidatët për deputetë të partive të ndryshme, të cilët kanë filluar takime lokale, prezantime programore dhe publikime të shpeshta në rrjetet sociale.