Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur të enjten e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka hapur fushatën me një tubim në Ferizaj, në Palestrën e Sporteve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur takim me qytetarët në sheshin e qytetit të Ferizajt.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur aktivitetin elektoral në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ndërkaq, Aleanca ka hapur fushatën zgjedhore me simpatizantë të saj në Gjakovë.
Partia Socialdemokratike (PSD) të mërkurën me një aktivitet simbolik e ka bërë hapjen e fushatës.
Gjatë fushatës elektorale, që do të zgjasë 10 ditë, partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro.
Agjenda e partive:
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza mban tubim në Gjakovë, Parku Kulturor “Ali Podrimja” në 18:00 dhe në 19:30 në Pejë, Parku përballë teatrit.
AAK-ja zhvillon tubim elektoral në Rahovec, në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”, në orën 20:00.
LDK-ja mban tubime në 17:00 në Kaçanik dhe Han të Elezit. Në 18:00 në Shtime, në 19:30 në Fushë Kosovë, në 20:30 në Prishtinë.
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim në Istog në 17:00, në 19:30 në Pejë.
Hamza: Ndryshimi është afër
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryeministër Bedri Hamza, ka vizituar disa familje në kuadër të aktiviteteve të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Shtëpi më shtëpi, familje më familje, me qytetarë që duan t’i japin fund krizës politike dhe ta sjellin ndryshimin me votën e tyre në zgjedhjet e 7 qershorit. Në mesin e tyre nuk jam vetëm si kandidat për kryeministër, por edhe si mik e dashamir i tyre”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka thënë se mikpritja dhe besimi që po marr janë motivi më i madh për të vazhduar punën për një Kosovë, siç ka shkruar, më të mirë për të gjithë.
“Ndryshimi është afër”, ka shkruar kryetari i PDK-së.
LDK-ja jep 113 zotime
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar 113 zotime të programit qeverisës. Një plan pune për një Kosovë që punon, zhvillohet dhe e bën jetën e qytetarit më të lehtë, e ka quajtur LDK-ja këtë program.
Ndërkaq, në të gjithë zotimet ka nënvizuar dhjetë kryesoret:
1. Paga më të larta, menjëherë, Koeficienti 150 dhe dyfishimi i pensioneve.
2. Punë për çdo të ri të diplomuar, Punësim i garantuar dhe trajnim për 40 mijë të rinj.
3. Ulje e çmimeve, Moratorium i çmimeve të energjisë dhe ulje e çmimeve të produkteve bazike.
4. Aleancë e pathyeshme me Perëndimin, Kosova në NATO e BE, përfaqësim dinjitoz, partneritet strategjik, siguri kombëtare dhe besueshmëri ndërkombëtare.
5. Pavarësi energjetike për Kosovën, Central i ri me gaz amerikan.
6. Kosova e lidhur përmes infrastrukturës rrugore, Përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit.
7. Dhjetëra-mijëra vende të reja pune, Investitor strategjik në ICT dhe ekonomi digjitale.
8. Mbështetje për familjen, me ligj, Shtesa të garantuara për fëmijë, lehona, gra kujdestare dhe pensionistë.
9. Spital i ri i Kosovës, Kujdes shëndetësor modern e dinjitoz.
10. Mësim tërëditor për fëmijët tanë, Në secilën komunë të Kosovës.
Osmani: Mbrëmë u dëgjua zëri i një Republike që nuk përkulet
Kandidatja për presidente nga LDK dhe bartësja e listës së kësaj partie, Vjosa Osmani, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në tubimin e fushatës zgjedhore që u mbajt mbrëmë në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se në atë tubim është dëgjuar “zëri i një Republike që nuk përkulet”.
“Mbrëmë u dëgjua zëri i një Republike që nuk përkulet. Një Republikë që beson te bashkimi, te demokracia dhe te e ardhmja. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar ajo.
Tubimi shënoi hapjen e fushatës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.