Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së dhjetë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Agjenda mediale e Partisë Demokratike të Kosovës:

17:30 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë Komunës së Vushtrrisë. (City Grill, Vushtrri)

18:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Novosellës së Pejës. (Shtëpia e Kulturës në Novosellë)

19:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Istogut. (Hotel “Trofta”)

19:00- Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubime elektorale në Malishevë. (Restaurant “Mani”)

20:00 - NISMA Socialdemokrate vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet lokale në Malishevë. (Restaurant BIMI 1, Malishevë)
 

Nurboja: Për 12 vjet Muhaxheri është dënuar 399 herë nga gjykatat e Kosovës

1 muaj më parë / 22 sht 2025 23:04
Reshat Nurboja

Kandidati për kryetar i komunës së Pejës nga partia Alternativa, Reshat Nurboja, ka thënë se qeverisja lokale në Pejë në krye me Gazmend Muhaxherin që 12 vite është dënuar plot 399 herë nga gjykatat e Kosovës për shkak të borxheve të pa paguara ndaj operatorëve ekonomik.

Kandidati për kryetar i Alternativës, ka thënë se këto dënime kapin vlera milionëshe të cilat i janë marrë komunës.

“Gazmend Muhaxheri apo pushtet i tij për 12 vjet është dënuar 399 herë nga gjykatat e Kosovës, në vlerë 17 milionë euro, 10 milion për arsye se është marr vesh me operatorët ekonomik, nuk i ka alokuar mjetet financiare të zotuara se nuk mund të fillojë projekti pa i pasur së paku një përqindje për fillimin e projektit, dhe në marrëveshje me operatorët nuk mundem me ti pagu, në bazë të ligjit shko në Gjykata”, ka thënë Nurboja

Sipas tij nuk është problem vetëm pagimi i dënimeve por edhe kamatat gjyqësore për vonesat e borxheve të cilat kanë kapur vlerën e 3 milion eurove .

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË- Debati për Pejën”, Nurboja ka shpalosur edhe programin e tij me të cilin po kandidon për komunën e Pejës.

Nurboja ka premtuar ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët, rregullimin e komunikacionit përmes së cilit parasheh shkarkimin e qendrës së qytetit nga veturat, reformimin e administratës komunale, e çështje të tjera.  

Shahini: Një taksë për pronat e pashfrytëzuara ndikon në uljen e çmimit të banimit

1 muaj më parë / 22 sht 2025 21:34
Besa Shahini

Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga PSD-ja, Besa Shahini, përmes një postimi në facebook, ka përsëritur që 27 mijë banesa janë të pashfrytëzuara në kryeqytet.

Megjithatë, ajo ka marrë një shembull me qytetet e Evropës se si do të ulej çmimi i banimit.

“Zagrebi, Londra, Parisi, Vankuveri dhe shumë qytete të tjera kanë aplikuar një “vacancy tax” për të inkurajuar pronarët që t’i fusin banesat në treg.  Edhe në Prishtinë, kjo masë do të rrisë ofertën dhe do të ulë çmimet e banimit.”, ka shkruar Shahini në rrjetin e saj social Facebook.

“Vacany Tax” është një taksë që vendoset për pronat që qëndrojnë të pabanuara për më shumë se 6 muaj në vit dhe është 1 ose 2% e vlerës së pronës.

Lushtaku viziton Prekazin: Në vendin e qëndresës u zotuam të vazhdojmë punën me ndershmëri

1 muaj më parë / 22 sht 2025 21:07
lushtaku

Kandidati për kryetar të Skenderajt nga PDK-ja, Sami Lushtaku, ka vizituar sot Prekazin e Epërm e më pastaj Mikushnicën. Lushtaku përmes një postimi në Facebook, thotë se atje u pritën me entuziazëm të madh.

“Me entuziazëm të madh u pritëm sot në Prekaz të Epërm, në këtë vend ku çdo guri flet me zërin e trimërisë, në altarin e lirisë sonë të përjetshme. Në këtë vend të qëndresës, u zotuam se do vazhdojmë të punojmë me dinjitet dhe ndershmëri deri në realizimin e secilit projekt të zotuar dhe jo vetëm. Takimin e vazhduam në Mikushnicë, ku u mirëpritëm ngrohtësisht nga banorët të cilët janë rreshtuar si gjithmonë krah nesh edhe për mandatin tonë të ardhshëm!”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Gjatë ditës, sipas postimeve në Facebook, Lushtaku ka bërë homazhe edhe te lapidari i dëshmorëve të Lubovecit në përkujtim të të gjithë dëshmorëve të këtij fshati, si dhe te lapidari i dëshmorëve në Tërrnafc për të përkujtuar dëshmorët Naim e Shemsedin Haxhiu.

Ndërsa, në përvjetorin e 27-të të rënies, Lushtaku kujtoi edhe Fehmi e Xhevë Lladrovcin.

“Bashkë me Fehmiun e Xhevën kemi kaluar shumë sfida. Kemi bërë shumë rrugë e kemi zhvilluar shumë beteja së bashku, ku e kam parë guximin dhe vullnetin e tyre për të luftuar për lirinë e Kosovës. Gjatë fillimit të ofensivës së shtatorit 1998 në Drenicë, e cila ishte njëra ndër ofensivat më mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe, Feha së bashku me Xhevën e Fatime Hetemin, ranë heroikisht më 22 shtator 1998 në mbrojtje të tokës së Kosovës.”, shkroi mes tjerash Lushtaku në Facebook.

Abdixhiku në Malishevë: Zemra e Kosovës punëtore meriton më shumë

1 muaj më parë / 22 sht 2025 20:42
abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka marrë sot pjesë në një tubim në Malishevë në mbështetje të kandidatit për kryetar në këtë komunë, Fatmir Ademajn.

 Ai u zotua për mbështetje të drejtë dhe të vazhdueshme për bujqësinë dhe zhvillimin e qytetit.

“Malisheva është zemra e Kosovës punëtore. Është djepi i bujqësisë sonë, është vatra e familjeve të mëdha, është simbol i qëndresës dhe i dinjitetit. Ky qytet ka dhënë shumë për Kosovën, shumë për lirinë tonë, shumë për pavarësinë tonë, shumë për zhvillimin e vendit tonë. Dhe prandaj, sonte, të jem mes jush është një emocion i veçantë, është një nder i madh, është një përgjegjësi e madhe. Sepse Malisheva e meriton fjalën tonë. Malisheva e meriton përkushtimin tonë. Malisheva e meriton qeverisjen tonë. Në këtë qytet të punës, të bujqësisë, të mundit, Lidhja Demokratike e Kosovës është gjithmonë pranë qytetarëve. Sepse ne e dimë se këtu nuk ka vend për fjalë boshe, këtu nuk ka vend për premtime të kota, këtu ka vend vetëm për punë, për përkushtim, për rezultate. Dhe këtë e ka sjellë gjithmonë LDK-ja.”, deklaroi Abdixhiku në tubim.

Ai shtoi se ekipi i LDK-së në këtë komunë është i përbërë nga profesionistë e njerëz të ndershëm, të cilët synojnë të sjellin qeverisje me përgjegjësi dhe rezultate.

“Fatmir Ademaj është njeri i qytetit të tij. Është njeriu që nuk e sheh politikën si privilegj, por si shërbim. Nuk e sheh pushtetin si përfitim, por si përgjegjësi. Nuk premton gjëra të pamundura, por jep fjalën për gjëra të arritshme. Dhe kjo është ajo që i duhet Malishevës. Një kryetar që nuk fsheh problemet, por i përballon ato. Një kryetar që nuk ikën nga përgjegjësia, por e merr mbi vete. Një kryetar që nuk harron qytetarët, por i bën ata pjesë të qeverisjes. Ky është Fatmir Ademaj. Kjo është LDK-ja.”, ka thënë Abdixhiku.

Ilir Ferati takohet me gratë e Istogut: Janë mbështetje për njëra-tjetrën

1 muaj më parë / 22 sht 2025 19:53
ferati

Kryetari i Istogut dhe njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për një mandat tjetër, Ilir Ferati ka zhvilluar një takim me gratë e kësaj komune.

Në një postim në Facebook, Ferati tha se gratë gjithmonë janë mbështetje për njëra-tjetrën.

“Gratë gjithmonë janë mbështetje për njëra-tjetrën, gjë që u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, ku u diskutua për forcën dhe mirëqenien e gruas në institucione dhe më gjerë. Lubozhdë e Liridonë, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar ai.

Haradinaj e quan Fushë-Kosovën nyjë strategjike për ekonominë dhe zhvillimin e gjithë vendit

1 muaj më parë / 22 sht 2025 19:51
ramush haradinaj

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me qytetarë në Komunën e Fushë-Kosovës. Bashkë me kandidaten për kryetare nga kjo parti, Vildane Latifin dhe kandidatët për asamble, Haradinaj tha se këtu ku bashkohen qytetarët nga e gjithë Kosova dhe Lugina, ende presin zgjidhje për problemet themelore.

“Në Fushë-Kosovë, aty ku bashkohen qytetarë nga e gjithë Kosova dhe Lugina, mbi 65 mijë banorë presin ende zgjidhje për problemet themelore. Mungesa e hapësirave shkollore, çerdheve dhe infrastrukturës bazë është dëshmi e qartë e një qeverisjeje që ka humbur kontaktin me qytetarin.”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Tutje kreu i AAK-së, Fushë-Kosovën e quajti nyje strategjike për ekonominë dhe zhvillimin e gjithë vendit.

“Vildane Latifi, si kandidate grua, përfaqëson një brez të ri të politikës lokale që sjell përvojë, energji dhe vizion. Ajo njeh nga afër sfidat e qytetit të saj dhe do të jetë kryetare e denjë që i jep Fushë-Kosovës qeverisjen shembullore. Fushë Kosova është një nga nyjet kryesore ekonomike të vendit, një komunë ku takohen njerëz dhe komunitete biznesi nga e gjithë Kosova. Ky potencial i jashtëzakonshëm nuk është shfrytëzuar dhe nuk është parë kurrë siç është në të vërtetë, një nyje strategjike për ekonominë dhe zhvillimin e gjithë vendit.”, shkroi mes tjerash Haradinaj

Rahimaj: Për herë të parë, të gjitha fshatrat dhe lagjet lidhen me qendrën e qytetit

1 muaj më parë / 22 sht 2025 17:39
kADRI RAHIMAJ

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili është kandidat edhe për një tjetër mandat, ka thënë në një postim  në Facebook se ka mbajtur zotimin për linja të përditshme të autobusëve në mënyrë që çdo fshat të lidhet me qendrën e qytetit.

Ai ka thënë se për herë të parë, asnjë fshat e asnjë lagje nuk mbetet jashtë dhe të gjithë lidhen me qendrën e qytetit.

“Autobusë të rinj, linja të përditshme, nisje nga çdo fshat e çdo lagje, një zotim që bëhet realitet dhe i jep hov të madh zhvillimit të Kamenicës. Përmes Krilevës, Kamenica lidhet edhe me Prishtinën, me çmim simbolik, një mundësi e artë për studentët dhe një lehtësim i madh për çdo qytetar. Kamenica jonë ecë përpara, me barazi, mundësi dhe dinjitet për secilin”, ka thënë ai.

Hyseni: Gjilanit ia kthyem gjallërinë, pas 12 tetorit angazhimi do të jetë më i madh

1 muaj më parë / 22 sht 2025 15:42
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni

Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, ka treguar projektet që ka kryer gjatë mandatit aktual. Ai ka treguar se në mandatin tjetër angazhimin do ta ketë edhe më të madh për një Gjilan modern. 

Hyseni është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit. Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 

“Për 4 vjet, Gjilanit ia kemi kthyer gjallërinë dhe ritmin e zhvillimit me mbi 80 projekte të mëdha infrastrukturore. Pas 12 tetorit, angazhimi ynë do të jetë edhe më i madh – për një Gjilan më modern, më funksional dhe më të zhvilluar, ku çdo lagje dhe çdo qytetar ndihet pjesë e ndryshimit. BASHKË!” – thuhet në një video të postuar nga Hyseni në Facebook. 

Hyseni të dielën ka premtuar mbështetje për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gjilani”. 

“Ansambli i Këngëve dhe Valleve, e ruan shpirtin kulturor të qytetit tonë, duke i dhënë jetë traditës përmes këngës e valleve”, tha Hyseni. “Përkrahja për ta është përkrahje e identitetit kombëtar dhe bashkërisht do ta vazhdojmë mbështetjen e këtij institucioni kulturor, me theks të veçantë krijimin e Ansamblit të Qytetit”.


 

Latifi: S’është e ndershme që buxheti i Komunës të kthehet në lojë fushate

1 muaj më parë / 22 sht 2025 15:28
Smajl Latifi

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar opozitën se po e kthen në lojë fushate buxhetin e Komunës për vitin 2026. 

Ai ka kritikuar refuzimin për votimin e buxhetit. 

Latifi, që është nga radhët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, është duke kandiduar edhe për një mandat në krye të Rahovecit. 

“Nuk është e ndershme që buxhetin e Komunës sonë për vitin 2026, ta kthejmë në lojë fushate. Refuzimi për votimin e buxhetit pa arsye të forta, pa kritika konkrete për kodet buxhetore e pa propozime për ndryshime, në vlugun e fushatës, zbulon hapur qëllimin. Buxheti i Komunës, është buxhet i qytetarëve të Rahovecit, i hartuar dhe operacionalizuar për t’i adresuar kërkesat dhe nevojat e tyre. Le ta bëjmë fushatën jashtë institucioneve, sepse asnjë përfitim elektoral nuk do ta vjelë askush nga kjo strategji, përveç dëmeve që mund t’ia shkaktojmë komunës e qytetarëve”, ka shkruar Latifi në Facebook, ndërsa ka postuar një video të tij nga foltorja e Kuvendit Komunal. 

Ramosaj synon mandatin e tretë për kryetar të Deçanit, premton zhvillim të hovshëm e turizëm modern

1 muaj më parë / 22 sht 2025 13:58
Bashkim Ramosaj

Photo: Ekonomia Online

Bashkim Ramosaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëjherit kryetari i Komunës së Deçanit, po synon që edhe për katër vjet e ardhshme të udhëheqë me këtë komunë. 
Për mandatin e tretë Ramosaj ka vënë në strategjinë e tij “një zhvillim të hovshëm, e një turizëm modern”.

Ramosaj në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar çelësin  e suksesit se si mund të marrësh besimin e qytetarëve.

“Unë jam në fund të mandatit të dytë si kryetar i Komunës së Deçanit, me qenë i suksesshëm duhet me qenë serioz në punë, me pasur përkushtim dhe ide të qarta. Duhet me përballë tema të cilat janë sfiduese për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe duhet me qenë i përkushtuar çdo ditë për të arritur objektivat. Kemi jap një pamje më të qartë që është shumë e rëndësishme për neve, më herët nuk është kuptuar se po hyjmë në një qytet, kemi bërë zgjidhje të duhura që çdokush që vjen në Deçan, ka përshtypje që po hyn në qytet që po shkon drejt zhvillimit të hovshëm”, tha ai.

Ramosaj premton revolucion zhvillimor në dy vjetët e ardhshme dhe thekson bashkëpunimin e ngushtë me institucionet qendrore për zgjidhjen e çështjeve juridike të pronave.

“Mund të garantoj që neve na ec mbarë dhe kemi mirëkuptimin prej institucioneve qendrore që sa më shpejt të kalohen këto prona në aspektin juridik, brenda dy viteve Deçani do të bëjë revolucionin e madh të zhvillimit të hovshëm, të harmonizuar dhe me standardet që i kërkon koha. Jemi në kohën për të bërë gjëra të qëndrueshme. Kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë në këtë qytet, përgjatë gjithë jetës sime nuk e kam ofenduar askënd, jemi ndër familjet më të mëdha të komunës dhe nuk kemi bërë ndonjë skandal. Ajo çka është e rëndësishme që kam qenë tepër aktiv”, ka theksuar ai.
 

Kurti: Enver Haliti, ndryshimi që i duhet Ferizajt

1 muaj më parë / 22 sht 2025 12:25
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Enver Haliti është ndryshimi që i duhet Ferizajt. 
Haliti është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt. 

“E duam Ferizajn siç Ferizaj e do ndryshimin. Në Ferizaj e duan Enver Halitin, sepse ai është ndryshimi që i duhet. I përgatitur, punëtor, patriot e i ndershëm, i dëshmuar në kohë lufte e në kohë paqe, në pozita ekzekutive e përfaqësuese, në Ferizaj e në Prishtinë, Enveri do të punojë dhe shërbejë me përulësi e vendosmëri për qytetin, për komunën, për qytetarët”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 


 

Totaj premton përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm nëse e merr edhe një mandat

1 muaj më parë / 22 sht 2025 11:53
Shaqir Totaj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit dhe kryetari aktual i kësaj komune, Shaqir Totaj, ka thënë se përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm në [do shtëpi është zotimi i tij në rast se e merr një mandat të ri. 

“Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm për çdo shtëpi është zotimi ynë për mandatin e ri. Njëri nga fokuset gjatë mandatit të kaluar ka qenë edhe vendosja e impianteve për herë të parë në Shadërvan në rast të ndonjë fatkeqësie të zjarrit. Vazhdojmë +4!” – ka shkruar Totaj në Facebook.

 

Uran Ismaili: Ndryshimi po vjen

1 muaj më parë / 22 sht 2025 11:29
Uran Ismaili

Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka nisur javën me një videomesazh falënderues drejtuar vullnetarëve, kandidatëve, aktivistëve dhe qytetarëve të kryeqytetit.

“Mirëmëngjesi Prishtinë! Po e filloj ditën sot me një falënderim prej zemrës – për krejt vullnetarët, kandidatët dhe aktivistët tanë për angazhimin e madh, për ekipin tim të mrekullueshëm të fushatës, dhe për të gjithë ju qytetarë të dashur të Prishtinës që po na jepni kaq shumë mbështetje kudo që po vijmë. Faleminderit, shihemi në lagjet e juaja! Ndryshimi po vjen!”, u shpreh Ismaili.

Ismaili po e zhvillon fushatën duke prezantuar platformën e tij me "pesë zgjidhjet për problemet më të mëdha të kryeqytetit" dhe "projektet konkrete për secilën lagje e fshat të Prishtinës".