Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka vizituar lagjen “Kalabria” në Prishtinë.
Çeku ka thënë se kjo lagje po përjeton një nga zhvillimet më të shpejta urbane në Prishtinë, por dështon të ofrojë kushtet bazike jetese për banorët.
“Përroi ku rrjedhë kanalizimi, kolektori i papërfunduar, rruga A e cila është larg përfundimit, deponia ilegale e mbeturinave dhe ato të shpërndara gjithandej në lagje, mbesin probleme elementare që pamundësojnë një jetë normale në këtë lagje. Zgjidhjet janë të qarta, por mungon përkushtimi për punë. Dora e Komunës duhet të takojë atë të banorit në secilin cep të qytetit, ashtu që problemet të sanohen e jeta të lehtësohet”, ka shkruar Çeku në Facebook.
E në një postim tjetër në Facebook, Çeku ka akuzuar kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, që është kandidat nga radhët e LDK-së, se po i ikë debatit.
“Kryetari Rama po i ikë debatit. Nuk po pranon as ballafaqim vetëm me mua, as bashkë me kandidatët e tjerë. Pas ftesës nga Jeta Xharra për debat sot mes kandidatëve dhe konfirmimit nga të gjithë, kuptuam që Kryetari Rama i ka ndërruar fjalët. Në mungesë të tij, debati i sotëm nuk po mbahet. Kjo është hera e dytë, pasi njëjtë kishte vepruar edhe për ftesën nga Kanal 10. Kjo ikje nga përgjegjësia publike duhet të marrë ndëshkimin e merituar nga qytetarët e Prishtinës”, ka shkruar Çeku.
