Hajrulla Çeku, i cili synon ta fitojë garën për kryetar të Prishtinës, i ka bërë serish thirrje kryetarit aktual për ballafaqim televiziv. Ai ka thënë se përballja duhet të jetë veç mes të dyve, dhe jo edhe me kandidatë të tjerë. Krahas kryeqytetit, fushata e Vetëvendosjes është zhvilluar të shtunën në disa komuna
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, të shtunën e ka ftuar për të tretën herë në ballafaqim televiziv, kundërkandidatin Përparim Rama, i cili ka qeverisur me kryeqytetin përgjatë katër vjetëve të fundit.
Ai ka insistuar se debati duhet të jetë veç mes të dyve, dhe jo me kandidatë të tjerë në garë.
“Jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy, si dhe moderatori. Ke qeverisur katër vjet me Prishtinën, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës. Le të ballafaqohemi, le t’i shpalosim platformat tona. Këtë ia kemi për borxh qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Çeku. “Caktoje ditën, zgjidhe studion, aty do të jem”.
Ai ka zhvilluar aktivitete elektorale edhe në disa lokacione të Prishtinës. Ministri në detyrë i Kulturës ka takuar edhe artistë, të cilëve u ka premtuar fond për rregullimin e atelieve private.
“Do të krijojmë edhe një këshill të pavarur të artit e kulturës, që do të vendosë për grantet dhe investimet, duke garantuar transparencë e meritokraci. Përveç kësaj, do të ndajmë fonde për inovacion dhe krijimtari, ndërsa hapësirat e braktisura do t’i shndërrojmë në qendra kreative ku arti merr jetë dhe i jep frymë të re qytetit”, janë zotimet e Çekut për komunitetin artistik.
E, projekte urbanizmi që nuk i kanë kryer në mandatin e parë, kanë planifikuar t’i realizojnë në të dytin kryetari i Kamenicës Kadri Rahimaj e ai i Shtimes, Qemajl Aliu, të cilët synojnë edhe nga një mandat si kandidatë të Vetëvendosjes.
Në Kamenicë, Rahimaj u deklarua se zotimi i parë i tij është investimi në transportin publik për lidhjen e fshatrave me qytetin.
“Zotimi ynë i parë për mandatin tonë të dytë është transporti publik. Transporti publik i cili është më se i nevojshëm për ndërlidhjen e secilit vendbanim me qytetin dhe anasjelltas. Kamenica do të lulëzojë në mandatin tonë të dytë”, ka thënë ai.
E në Shtime, Aliu ka dhënë një numër zotimesh – nga investimi në sheshin dhe pedonalen e qytetit, e deri te ndërtimi i Ballkonit panoramë te “Kodra e Rinisë”.
“Revitalizimi i të gjitha rrugëve dhe trotuareve. Përfundimi i ndërtimit dhe rregullimit të shtratit të lumit Shtimjanja në tri segmentet. Ballkoni panoramë të ‘Kodra e Rinisë’. Shteg i ecjes përgjatë shtratit të lumit Shtimjanja që lidh rrugën ‘Hysiqi’ dhe me rrugën e tranzitit. Formalizimi dhe legalizimi i pronave në Qestë të Reçakut dhe te lagjja e pishave. Finalizmi i kanalizimit/kolektorit të ujërave të zeza dhe impiantit. Qendra të komunitetit në fshatra dhe lagje të qytetit bashkë-investim publiko-privat”, janë premtimet që për urbanizimin në Shtime dha Aliu.
Në Gjakovë, kandidati i LVV-së për kryetar të kësaj komune, Ardian Gola ka dhënë zotimin për krijimin e rrjetit të trotineteve dhe biçikletave elektrike. Në programin e tij Gola ka paraparë që të hartojë politika për lehtësimin e qarkullimit brenda zonës urbane, duke marrë parasysh parametrat e BE-së, aspektin tradicional dhe politikat për energji të pastër. Ai parasheh të krijojë 16 pika strategjike në qytet dhe në hyrje-daljet kryesore. Për përdorimin e tyre është planifikuar të ketë abonim dhe tarifa speciale për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe përdoruesit e rregullt. Gjithashtu është zotuar për ofrimin e shërbimeve në ndërtesa.
“Duhet të ndërmarrim një iniciativë për ofrimin e shërbimit të ndërtesave, me ashensorë, me fasadim të jashtëm eficient, me mirëmbajtje të vazhdueshme”, ka thënë Gola.
Në Vushtrri, kandidati për kryetar Sylejman Meholli, gjatë një vizite në fshatin Maxhunaj, ka premtuar furnizim me ujë të pijes, çerdhe publike, shërbim stomatologjik e laboratorik, mbështetje për bujqit dhe fermerët, infrastrukturë moderne, fusha sportive e park, si dhe kënd të lodrave për fëmijë.
Edhe në disa komuna të tjera, kanë zhvilluar aktivitetin parazgjedhor kandidatët e LVV-së.
