Zgjedhjet 2025

Veselaj-Gutaj: Arsimi, prioritet kombëtar i PDK-së

Veselaj-Gutaj: Arsimi, prioritet kombëtar i PDK-së

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete, Luljeta Veselaj- Gutaj, ka thënë se partia e saj e ka prioritet kombëtar fushën e arsimit.

Derisa ka folur për këtë fushë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Veselaj-Gutaj ka thënë se për fushën e arsimit duhet të ketë buxhet të mjaftueshëm, i cili do t’u shpërndahet komunave në mënyrë që të arrihet një arsim sa më cilësor. Sipas saj, kjo duhet të fillojë që nga edukimi i hershëm e i cili duhet të inspektohet.

“Për të funksionuar dhe për të qenë cilësor edukimi i hershëm, qoftë në çerdhet publike edhe në ato private, duhet të ketë një inspektim të vazhdueshëm të Inspektoratit. Kapacitetet e burimeve njerëzore në Inspektoratin e Arsimit janë tepër të mangëta. PDK-ja do të rrisë kapacitetet edhe në numër, por edhe në cilësi, në ngritje profesionale të Inspektoratit të Arsimit”, ka thënë Veselaj Gutaj.

Kandidatja e PDK-së po ashtu ka prezantuar edhe planin e partisë për mësimin gjithëditor, për të cilin ka thënë se duhet të krijohet një kurrikulë dhe një linjë e veçantë buxhetore.

“Duhet ta kemi parasysh që mësimi gjithëditor ka një kosto goxha të mirë, dhe kjo gjithsesi duhet të ketë një linjë të veçantë, të jetë e planifikuar në buxhetin e Republikës së Kosovës... Derisa nuk kemi një kurrikulë të veçantë nuk mund të flasim për shifra, por është një kosto e lartë, sepse nëse nxënësit rrinë gjatë gjithë ditës aty duhet të përfshihen edhe ushqimi, aktivitetet jashtëkurrikulare, shëtitjet, etj.”, ka thënë ajo.

Tutje Veselaj-Gutaj ka thënë se duhet të jetë një departament i veçantë brenda Ministrisë së Arsimit që do të merret me këtë çështje.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, prioritet, sipas saj do të jetë edhe digjitalizimi i procesit të arsimit, duke përfshirë krijimin e një platforme shtetërore të arsimit, në të cilën do të vendosen të gjitha të dhënat, dhe mësimdhënësit e nxënësit do të kenë mundësi që të bëjnë analiza të ndryshme.

Lexo përditësimet tjera
LIVE: Zgjedhjet në KOHË - Premtimet kryesore për arsim në katër vjetët e ardhshëm

Zgjedhjet në KOHË - Premtimet kryesore për arsim në katër vjetët e ardhshëm