Serbia synon të hapë 350 vende të reja të punës në sistemin paralel shëndetësor në Kosovë. Konkurset për to janë shpallur një javë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, derisa për votimin e Listës Serbe në këtë proces zgjedhor thirrje ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo nuk është hera e parë që Serbia hap vende pune para zgjedhjeve në Kosovë
Serbia ka premtuar punësim për serbë të Kosovës, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur konkurs për 300 vende pune në institucionet paralele që i mban në Kosovë.
Njoftimi është dhënë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, derisa është bërë e ditur se në proces është edhe konkursi për 50 vende pune i hapur në fillim të kësaj jave.
“Në këtë mënyrë do të hapen 350 vende të reja pune në sistemin shëndetësor serb në Kosovë që do të thotë jetë për qëndrimin dhe mbijetesën e popullit tonë në ato pjesë. Punësimet e reja do të përmirësojnë më tej nivelin e kujdesit shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë, gjë që tregon kujdesin e qartë të shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq për popullin e vet në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në njoftim është treguar edhe numri i punësimeve në këto institucione.
“Duke njohur nevojën për punësim shtesë dhe modernizim të kujdesit shëndetësor në Kosovë, si dhe forcimin e institucioneve serbe të kujdesit shëndetësor në Kosovë, gjatë tre vjetëve të fundit, më shumë se 1.500 persona janë punësuar tashmë në kujdesin shëndetësor në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Pos kësaj, punën në sistemin paralel shëndetësor, sipas autoriteteve të Serbisë, në gjysmën e dytë të janarit do ta fillojnë edhe 700 persona, pas konkursit të zhvilluar më parë.
Edhe para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati premtuar punësimin e 400 serbëve në institucionet paralele të shëndetësisë në Kosovë.
Ndërkaq një ditë para zgjedhjeve në Kosovë është paralajmëruar se në pikën kufitare në Jarinjë do të ndahen 19 bursa për fëmijët serbë.
Sipas njoftimit nga Komiteti për Ndihmë për Kosovën nga Banjalluka, dhjetë prej tyre janë siguruar me mbështetjen e Telekomit të Serbisë.
E një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u bëri thirrje serbëve të Kosovës që ta votojnë Listën Serbe në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Sipas tij, Lista Serbe është “mbrojtësja e vërtetë e interesave kombëtare serbe”.
Ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë janë evidentuar vazhdimisht edhe nga organizatat ndërkombëtare. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati deklaruar se kjo ndërhyrje është më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë, derisa ka kërkuar edhe reagimin e BE-së.