Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë, ka thënë të martën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në reagimin e tij ndaj premtimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapjen e qindra vendeve të punës në Kosovë në sistemin paralel. Kurti ka kërkuar reagim nga ana e Brukselit zyrtar
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë e sanksionojë ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka premtuar serbëve të Kosovës 400 vende të punës në sektorin e shëndetësisë, që funksionon si sistem paralel.
Në adresimin e tij të martën, para mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se veprimet e tilla të jenë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor. “Premtimet për vende të punës, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale, dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se 'vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë' – siç bëri tash së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq – janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Ndërhyrja në zgjedhjet në Kosovë, sipas Kurtit, është më e rëndë sesa ajo e Rusisë në shtete të caktuara në Evropë.
“Ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. E megjithëkëtë, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian. Andaj, Serbia nuk ndryshon sjelljen. Kjo ndërhyrje që bën Serbia në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë”.
Veprimet e tilla, sipas Kurtit, janë edhe shkelje të marrëveshjes së arritur në Bruksel, dy vjet më parë.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë, shtet ky kandidat për anëtarësim në BE, për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin Marrëveshjen Bazë të Brukselit”, ka thënë ai.
Ndërhyrjet e Serbisë janë evidentuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nga Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Sipas raportit të këtij misioni, të publikuar pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, përveç ndërhyrjeve nga Beogradi votuesit serbë janë përballur edhe me presion nga Lista Serbe.