Arbëri

Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë më rëndë se Rusia në Evropë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë janë më të rënda sesa të Rusisë në Evropë.

Kështu u shpreh ai në mbledhjen e së martës të kabinetit qeveritar, derisa foli për ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. 

“Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte evidentuar ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Me gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë”, ka thënë ai. 

Kurti ka bërë thirrje për Bashkimin Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për veprimet që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Brukselit.

Ai ka shtuar se premtimet për vende pune që u bënë së fundmi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi dhe deklarimet se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.