Për Serbinë është ankuar kryeministri Kurti edhe në Nju Jork në takimin që kanë pasur liderët e Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas. Kurti po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos ketë më vonesa në procesin e integrimit evropian
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Këtë qëndrim Kurti e ka shprehur në New York, gjatë një takimi me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai akuzoi Serbinë edhe për spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginë.
“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka kritikuar BE-në për vonesën e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Ai ka bërë të ditur se në takim ka theksuar se Kosovës duhet t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka thënë kryeministri Kurti. “Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë”.
Në këtë takim është diskutuar edhe për situatën dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e konkretizimit të perspektivës evropiane për të gjitha vendet e rajonit, vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe avancimit të reformave.
“Theksuam rëndësinë e konkretizimit të perspektivës evropiane për të gjithë rajonin, ruajtjes së dinamikës së procesit të zgjerimit, avancimit të reformave dhe ankorimit të fortë të Ballkanit Perëndimor në familjen Evropiane. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj në vijim të anëtarësimit në BE dhe ndaj kontributit konstruktiv në bashkëpunimin rajonal, si dhe ndaj një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt”, ka thënë Hoxha.
E ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Dino Konakoviq, ka ngritur shqetësimet lidhur me nderimet shtetërore që, sipas tij, iu bënë në Serbi, Ratko Mladiqit.
“Konakoviq theksoi se glorifikimi institucional i kriminelëve të dënuar të luftës nuk mund të injorohet në kontekstin e rrugëtimit të një vendi kandidat drejt BE-së. Sipas tij, kjo ngre pyetje serioze për vlerat që Evropa është e gatshme të mbrojë dhe standardet që pret t’i respektojnë vendet kandidate. Një proces i besueshëm i zgjerimit, sipas Konakovićit, kërkon standarde të qarta dhe një përgjigje të qartë kur këto standarde sfidohen haptazi”, thuhet në informatën që Ministria e Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës ka lëshuar pas takimit.
Përpos këtyre, në takim morën pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.