Paralajmërimi për punësimin e 400 serbëve në institucionet paralele të shëndetësisë në Kosovë, është parë si ndërhyrje në garën zgjedhore të 12 tetorit nga vetë serbët. E në dy vjetët e fundit, periudhë kur katër komunat veriore janë qeverisur nga shqiptarët, shumë gjëra kanë ndryshuar
Një javë para zgjedhjeve lokale, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka premtuar serbëve të Kosovës vende të tjera pune në sektorin e shëndetësisë, që funksionon si sistem paralel.
Në një emision në kanalin pro-qeveritar Pink, Vuçiqi tha se do t’i hapë 400 vende të reja pune si përkrahje për serbët e Kosovës.
Por, para së gjithash duhet ta ruajmë paqen, shumë e vështirë duke e parë çfarë bën Kurti në terren me Ligjin për të Huajt synon që ai do ta bëjë. Do ta vendosë në pozitë shumë të vështirë popullin serb në Kosovë e Metohi. E dua t’ia kumtoj serbëve të Kosovës se do të jemi me ta jap si mesazh kryesor se që nga sonte do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturat e shëndetësisë, këto janë 400 familje dhe kjo është shumë për Kosovë e Metohi dhe këtë do ta bëjmë në 10 ditët e ardhshme”, ka thënë Vuçiqi.
Intervistën, Vuçiqi e dha dy ditë pasi këshilltari i tij, ish-kryeministri Millosh Vuçeviq shprehu përkrahje për Listën Serbe, duke thënë se ajo “është e vetmja që i mbron serbët” në Kosovë.
E ndaj paralajmërimit të Vuçiqit ka reaguar një kandidat për kryetar të Shtërpcës.
“Kështu nuk punësohet as për punë krahu, e lëre më në kujdesin shëndetësor, ku përgjegjësia dhe ekspertiza janë thelbësore. Lind pyetja – a mos nuk po qëndron më e fortë në terren Lista Serbe, e duket që është e nevojshme të përdoren përsëri metodat e vjetra të mashtrimit dhe premtimeve të rreme, siç ishte rasti me historinë e ‘ndihmës prej 20,000 dinarësh’”, ka thënë Stefan Stamenkoviq – Subjekti politik “Drejtësi dhe Barazi”.
Ndërkohë, qytetarët serbë në veri të vendit hezitojnë të flasin për pritshmërinë e tyre në zgjedhjet e 12 tetorit.
Por një që ka folur për Kohën, pret ndryshim, siç ka thënë ai, për të mirë.
“Epo si të gjithë, që të bëhet më mirë. E se a do të jetë apo jo, të shpresojmë se do të bëhet më mirë”, ka thënë Darko Milentijeviq, qytetar.
Banori Darko Milentijeviq tha se nuk ka dëgjuar për premtimin e Vuçiqit për 400 vende të reja punë për serbët në sistem shëndetësor.
Por, komunat veriore kanë ndryshuar shumë qëkur Serbia u pati bërë thirrje serbëve t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale më 2023.
Në dy vjetët e fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar në pejsazhin e sheshit të Mitrovicës së Veriut.
“Në katër komunat në veri janë hapur: Zyrat Kadastrale Komunale, Zyrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Zyrat Pensionale dhe Zyrat e Punësimit, Pikat e Postës, dhe është shtrirë infrastruktura e shërbimeve përcjellëse të regjistrimit civil. Po ashtu janë hapur Zyrat e Inspektoratit të Punës në Mitrovicë të veriut dhe në Zveçan. Nga 1 janari i vitit 2024 deri më 30 qershor 2025, në katër komunat veriore janë regjistruar mbi 450 biznese të reja”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
Banori Milentijeviq thotë se nuk ka dëgjuar për këto shërbime të institucioneve të Kosovës, tek thekson se shkon në Serbi për t’i kryer ato.