Serbia synon të hapë 350 vende të reja pune në sistemin paralel shëndetësor në Kosovë, përmes konkurseve të shpallura rreth një javë para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Ky veprim është shoqëruar edhe me thirrje publike nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që serbët e Kosovës të votojnë Listën Serbe. Hapja e vendeve të punës para zgjedhjeve nuk është hera e parë që ndodh nga autoritetet serbe.
Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur konkurs për 300 vende pune në institucionet paralele që funksionojnë në Kosovë, ndërsa më herët gjatë javës ishte hapur edhe një konkurs tjetër për 50 vende pune. Njoftimi është bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila ka theksuar se këto punësime synojnë forcimin e sistemit shëndetësor serb dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për komunitetin serb në Kosovë.
Sipas të njëjtit njoftim, gjatë tre vjetëve të fundit më shumë se 1.500 persona janë punësuar në institucionet paralele shëndetësore në Kosovë. Po ashtu, është bërë e ditur se në gjysmën e dytë të janarit pritet të fillojnë punën edhe 700 persona të tjerë, të përzgjedhur përmes konkurseve të mëhershme. Edhe para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Vuçiqi kishte premtuar punësimin e 400 serbëve në këto institucione.
Përveç punësimeve, një ditë para zgjedhjeve është paralajmëruar edhe ndarja e 19 bursave për fëmijët serbë në pikën kufitare të Jarinjës, nga Komiteti për Ndihmë për Kosovën nga Banjalluka, ku dhjetë bursa janë siguruar me mbështetjen e Telekomit të Serbisë. Një ditë më herët, Vuçiq u kishte bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë Listën Serbe, duke e cilësuar atë si përfaqësuese të interesave kombëtare serbe.
Ndërhyrjet e Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë janë evidentuar edhe nga organizata ndërkombëtare. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo ndërhyrje është shumë serioze dhe ka kërkuar reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me këto zhvillime.