Rinumërimi i plotë i votave ka zbuluar manipulime të mijëra votave të kandidatëve për deputetë dhe ka vënë prapa grilave të paraburgimit dhjetëra zyrtarë. Hetimet janë zgjeruar në disa komuna, por ato ende nuk kanë prekur kandidatët për deputetë. Prokurorja Laura Pula paralajmëroi se edhe ata mund të jenë objekt hetimi.
Një mandat deputeti i humbur në Kuvend, 157 persona të intervistuar, 35 në paraburgim, e pesë të ndaluar për 48 orët e fundit, është bilanci i rinumërimit të votave. Dallimet e mëdha që u zbuluan gjatë rinumërimit të pjesshëm e shtynë KQZ-në që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha votave në 28 komuna. Procesi i rinumërimit zbuloi manipulimin e mijëra votave nga të gjitha subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Për rrjedhojë, kryetarit të Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, ulësen ia zuri bashkëpartiaku i tij, Ergyl Mazrek. Lëvizje të tjera, për nga sigurimi i mandatave nuk pati.
Përveç në Prizren e Malishevë, ku u ndaluan, intervistuan e paraburgosën dhjetëra zyrtarë, Prokurori i Shtetit autorizoi Policinë që të nisë hetimet edhe në Drenas.
E të premten, autorizimi u bë edhe për Komunën e Obiliqit.
“Gjatë këtij procesi ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputetë pas përfundimit të numërimit të votave në Komunën e Obiliqit. Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës”, bën të ditur Prokuroria e Shtetit.
Provat e siguruara deri më tani kanë treguar se për manipulimin e rezultatit zgjedhor, përveç ryshfetit, është përdorur edhe kanosja.
Por deri më tani, ndaj kandidatëve për deputetë që përfituan nga manipulimi i votave nuk u iniciua ndonjë procedurë hetuese.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, paralajmëroi në emisionin “60 minuta” të KTV-së se edhe kandidatët për deputetë mund të jenë objekt hetimi.
“Ne jemi në fazën e grumbullimit të informatave, jemi në fazën e elaborimit të provave materiale, jemi në fazën e intervistimit të kryesuesve që duhet sërish të intervistohen së bashku me komisionerët dhe varësisht prej rezultateve që na dalin nga kjo fazë e hetimeve pastaj do të merremi edhe me intervistimin apo implikimin e kandidatëve të cilët, ndodh që ndonjëri e ka pru situatën kësisoj”, ka thënë Pula.
Procesi i rinumërimit është drejt fundit. Përmbyllja e tij hap rrugën për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit zgjedhor, pa të cilin nuk mund të nisin afatet për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.