Zgjedhjet 2025

Manipulimet me vota, në Prizren nisin hetimet

Numerimi ne Prishtine

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria në Prizren është vënë  në lëvizje pas dyshimeve për manipulim të votave në këtë komunë. Manipulim të votave ka pasur edhe në komuna të tjera.

Kryeprokurori Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës, të sigurojë prova duke përfshirë edhe nënshkrimet e tyre.

Rinumërimi i votave ka nxjerrë një model manipulimi që është përdorur në të gjitha komunat: në Prizren më së shumti kanë përfituar kandidatët e Prizrenit, në Kaçanik ata të Kaçanikut e në Podujevë kandidatët e po kësaj komune. Mospërputhjet janë shënuar brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive. E, një kandidat ka humbur ulësen në Kuvend, të cilën e pati fituar bazuar në rezultatet e para.

Rinumërimi i deritanishëm i votave ka prodhuar ndryshime në përbërjen e Kuvendit. Jashtë tij ka mbetur ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka.

Pas rinumërimit, Damkës i janë hequr 88 vota, duke ia humbur mandatin. Vendin e tij e ka zënë kandidati i katërt në listën e KDTP-së, Ergyl Mazrek, i cili tani ka 90 vota më shumë sesa Damka.
Megjithatë, dallimet brenda KDTP-së janë minimale krahasuar me ato që janë evidentuar te tri partitë më të mëdha parlamentare. Deri tani rinumërimi nuk ka nxjerrë mospërputhje në votat e partive, por vetëm te votat e kandidatëve brenda listave.

Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët. Te LDK-ja dallimi është rreth 4 mijë e 500, ndërsa te Vetëvendosje mbi 3 mijë e 100.

Deri në orën 8 të së hënës janë rinumëruar 556 nga 914 vendvotime.