Ka përfunduar rinumërimi i të gjithave votave të 28 dhjetorit, proces që kishte nisur nga 13 janari pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.
Në uebfaqen ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përditëson rezultatet, shihet se janë numëruar të gjitha 2557 vendvotimet.
KQZ-ja ka ftuar mbledhje për nesër (e shtunë) për të shpallur rezultatet përfundimtare, megjithëse Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se kjo është e paligjshme.
Rinumërimi nuk ka sjellë ndryshime në ulëset e deputetëve për partitë. Por ka ndryshuar numrin e votave të kandidatëve për deputetë.
Më së shumti ndryshime ka pasur në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Nëntë kandidatë të kësaj partie ka dalë se kanë vjedhur më shumë se 1 mijë vota. Listës i prin kandidati Fetah Paçarizi, i cili pas rinumërimit i ka humbur 6,869 vota. Pas tij renditet Nait Hasani me 3,326 vota, Kujtim Gashi me 2,434 vota, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2,118 vota, Arianit Çollaku me 1,673 vota, Fadil Demaku 1,308 vota, Enver Hoxhaj me 1,237 vota, Xhavit Haliti me 1,167 vota e Gazmend Maliqaj me 1,034 vota.
Te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dy kandidatë kanë dalë me më shumë se 1 mijë vota të vjedhur. Bëhet fjalë për kandidatët nga Prizren, Xhavit Uka e Driton Selmanaj. Ukës i janë hequr 1,628 vota, ndërsa Selmanajt 1,065.
Ndërkohë te Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendi ka dalë me 922 vota më pak, pasuar nga Arbër Rexhaj me 622.
Për manipulimet me votat e kandidatëve, deri tash në Prizren janë paraburgosur 28 të dyshuar, ndërsa në Malishevë 15.