Zgjedhjet 2025

Rinumërimi vazhdon të nxjerrë në shesh manipulimet me vota

KQZ-ja ka përmbyllur rinumërimin në 8 komuna që përbëjnë 34.79 për qind të vendvotimeve. Deri tani, abuzimi më i madh është hasur në Prizren ku ka përfunduar rinumërimi dhe në Podujevë ku janë rinumëruar vetëm 10 për qind të vendvotimeve. Brenda votave të kandidatëve të partive shqiptare u tjetërsuan plot 29 mijë të tilla

Mbi 305 mijë vota janë rinumëruar deri të mërkurën në orën 16:00 nga 879 mijë të vlefshme të numëruara nëpër qendrat komunale.

Nga rinumërimi i deritashëm në nivel vendi, KQZ-ja i ka përfunduar 34.79 për qind të votave.

Të mërkurën, përfundoi rinumërimi i plotë në tetë komuna: në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj e Viti.

Në Qendrat Komunale të Numërimit të këtyre qyteteve, u tjetërsuan 29 mijë vota të kandidatëve brenda 4 subjekteve të mëdha shqiptare parlamentare.

Nga to, abuzimi më i madh ndodhi brenda PDK-së, ku kandidatëve iu përshkruan gjithsej 19.405 vota pa i marrë fare ato.

Tre kandidatët me bilancin më abuziv në PDK janë Fetah Paqarizi me mbi 6 mijë vota të vjedhura, Nait Hasani me 3403 e Kujtim Gashi me 2350 sosh.

E dyta parti brenda së cilës u devijuan votat e kandidatëve është LDK-ja me 4799 vota të tjetërsuara.

Tre pretendentët për deputetë të kësaj partie që morën më së shumti vota përmes manipulimit në QKN, janë: Xhavit Uka me 1589 vota të vjedhura, Driton Selmanaj me 1046 e Anton Quni me 516.
Lëvizja Vetëvendosje është partia e tretë brenda së cilës u vodhën më së shumti vota mes kandidatëve, me 3702 vota të përshkruara rrejshëm.

Në këtë parti me më së shumti vota të vjedhura prin Arbër Rexhaj me 621 sosh, Rea Krasniqi me 546 dhe Dafina Alishani me 447.

E në AAK u manipulua me 1105 vota të kandidatëve.

Besnik Krasniqit iu përshkruan 313 vota më shumë sesa mori realisht, Tringa Morinës 163 e Burim Ramadanit 151.

Deri tash, abuzimet më të mëdha me votën e qytetarëve ndodhën në Prizren.

Pas kësaj komune, Podujeva është qyteti ku janë vjedhur më së shumti vota mes kandidatëve të së njëjtës parti edhe pse janë numëruar vetëm 11 kuti nga 110 sa janë gjithsej.

Ndërkaq në komunat me shumicë serbe në të cilat është bërë rinumërimi deri tash, devijimi më i madh i votës është brenda Listës Serbe, gjithsej 186 vota të tjetërsuara.

E në partinë e Nenad Rashiqit u devijuan 12 vota të kandidatëve.