Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nesër (e shtunë) në ora 10:00 do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Lajmi është konfirmuar për KTV-në nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se nesër (e shtunë, 31 janar 2026, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025”, ka thënë Elezi.
Megjithatë, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se KQZ-ja nuk ka të drejtë t’i shpallë këto rezultate pa u konsumuar afati prej 48 orësh për ankesa lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“KQZ-ja nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare pa u konsumuar afati 48-orësh për ankesa lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në QNR. Legjislacioni zgjedhor e njeh shprehimisht të drejtën e subjekteve politike dhe kandidatëve për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë numërimit në QNR, brenda afatit prej 48 orësh nga momenti i ndodhjes së saj. Dhe, ankimimi i procedurave në QNR është çështje e ligjshmërisë procedurale, e dallueshme nga ankimimi mbi ligjshmërinë e rezultateve përfundimtare si të tilla. Asnjë fazë e procesit zgjedhor – përfshirë edhe numërimin në QNR – nuk është e përjashtuar nga kontrolli ligjor, dhe çdo veprim që e bën të pazbatueshme të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Aktualisht, kanë mbetur të rinumërohen rreth 30 vendvotime.