Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “AFP” ka folur për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Kurti ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosjes në këto zgjedhje i duhet një fitore vendimtare me mbi 50 për qind të votave.
“Na duhet një fitore vendimtare. Në shkurt fituam me 42.3 për qind dhe këtë herë duam ta tejkalojmë 50 përqindëshin”, tha Kurti.
Kurti për “AFP” ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ndikimin rus në rajon si dhe marrëdhëniet Kosovë – SHBA.
Kurti ka thënë se Kosova duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, porse kjo është e vështirë kur në Serbi ka një regjim autoritar.
“Ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por, normalizimi i marrëdhënieve me një fqinj ku ka një regjim autoritar që nuk të njeh, që gjithashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft e vështirë. Ne kemi një marrëveshje normalizim. Duhet ta zbatojmë atë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, të paktën njohje de fato”, tha Kurti.
Ai ka thënë se për ta rifilluar dialogun Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, që akuzohet se udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023 gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kurti ka thënë se shpreson që Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca t’i bëjnë presion Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin.
Kurti po ashtu ka shprehur shqetësimin për ndikimin rus në rajon.
“Ka shumë lidhje mes dy vendeve dhe në marshimin e saj drejt Evropës Perëndimore, Rusia mund të llogarisë te Serbia si aleate. Dhe kjo është shqetësuese për vendin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për ta parandaluar që kjo të ndodhë”.
Kurti ka folur edhe për marrëveshjen e arritur me SHBA-në për t'i pranuar 50 migrantë, nga vendet e treta, të ekstraduar nga SHBA-ja. Deri tash ka arritur në Kosovë vetëm një.
“Ne nuk po kërkojmë ndihmë financiare në këmbim. Ne po e bëjmë këtë për ta ndihmuar SHBA-në, që është partnere, aleate dhe mike”, tha Kurti.
Ai nuk e përjashtoi arritjen e marrëveshjeve të ngjashme edhe me shtetet evropiane.