Pas konstatimit të vjedhjes së madhe të votave brenda subjekteve politike, PDK-ja ka reaguar përmes një komunikate, AAK-ja përmes liderit të saj, e nga LDK-ja kanë reaguar dy kandidatë për deputetë nga rajoni i Prizrenit, të cilëve gjatë rinumërimit u kanë dalë me qindra vota më pak sesa fillimisht. Ata kanë kërkuar që të zbardhet gjithë kjo skemë, të cilën e kanë quajtur kriminale
Partitë opozitare kanë kërkuar aktivizimin e Prokurorisë dhe kthimin e integritetit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pas mospërputhjes së madhe të votave gjatë rinumërimit të atyre për kandidatë brenda subjekteve politike.
PDK-ja ka reaguar përmes një komunikate, AAK-ja përmes liderit të saj, e nga LDK-ja kanë reaguar dy kandidatë për deputetë nga rajoni i Prizrenit, të cilëve gjatë rinumërimit u kanë dalë me qindra vota më pak sesa fillimisht.
Anton Quni, bazuar në rezultatet e para, ka siguruar ulësen në Kuvend, por deri në orët e pasdites të së dielës rinumërimi ka nxjerrë se ka rreth 500 vota më pak vetëm në Prizren.
Në reagimin e tij ka kërkuar të zbulohet se pse u zgjodh emri i tij për këtë skemë kriminale.
“Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse kriminal, më janë njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit. Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë”, ka deklaruar Quni.
E kandidati tjetër i LDK-së nga Prizreni, Driton Selmanaj, ka mospërputhje edhe më të madhe të votave. Vetëm në vendvotimet në Prizren, gjatë rinumërimit i kanë dalë rreth 1000 vota më pak, bazuar në rezultatet e përditësuara deri në pasditen e së dielës.
“Unë si kandidat për deputet dhe si kryetar i Degës së LDK-së në Prizren distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të komunës sonë. Kemi dyshimet tona që ky skenar ka qenë i mirorganizuar dhe ka përshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem”, është shprehur Selmanaj.
Selmanaj, që nuk ka siguruar mandat deputeti, ka kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve në gjithë vendin.
Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe AAK-ja.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve. E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
E PDK-ja përmes një komunikate ka thënë se indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme.
“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendvotimet në 10 komuna kanë shkuar në rinumërim të plotë, ndërsa në 28 të tjera, nga 10 për qind e tyre.
Mospërputhje në vota të kandidatëve janë hasur te të gjitha partitë.