Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se hetimet për manipulim me vota do t’i vazhdojë në procedurë të rregullt pasi sipas tyre dallimet në vota pas procesit të rinumërimit nuk janë të theksuara.
Sipas tyre dallimi më i madh është të një kandidat, të cilit pas procesit të rinumërimit i janë hequr 145 vota.
“Në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave (vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër) siç ka rezultuar në komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër", thuhet në njoftim.
Prokuroria ka njoftuar se të martën e ka autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë thuhet se ka pasur më tepër ndryshim në rezultat pas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet e të dyshuarve thuhet se janë duke vazhduar akoma.
Kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Arsim Ademi, pas rinumërimit në Viti i janë hequr 145 vota.